I FLAS VAJZËS PËR DETIN
Ky është ai,
ma tregoi babai vite më parë,
jo nga bregu, nga samari i mushkës
dhe maja e asaj – Lucës.
Nga avioni më vonë nuk m’u duk gjë,
babai në pesë vjeç ma solli të bukur
vetëm duke shtrirë krahun,
pa dorën e prerë në Luftën e Dytë,
pa zë.
Unë, babai, mushka: tre duke ngjitur malin,
ai krahu i shtrirë ende çan ajrin.
Krahu i shtrirë: Boeingu im i fluturimeve.
Sot, vetëm sot dua t’i futem këtij deti
pa ty, pa mamin: me atë të kujtimeve.
Dhe jo me not,
por duke iu ngjitur si malit:
me mushkën, me Lucën
dhe krahun pa rrem të babait.
