MË DUHET PËR DASHURINË
Për të mbërritur dashurinë e madhe
më duhet të ngjit i djersitur një mal,
të prek me shuall të këpucës
atë majën ku shkarkojnë rrufetë,
të shikoj Jonin e shpalosur nga larg
dhe ty që fluturon nga shkëmbi
të prekësh si pulëbardhë det.
Për të qëndruar me dashurinë e madhe
më duhet të kaloj mbi një urë,
mos të mendoj kurrë se poshtë saj
kalon me gurgullimë një lumë,
por e brendshmja ime
që vjen te veshi yt si fjalë
.
Për të shijuar dashurinë e madhe
më duhet të ec nëpër një fushë,
në kokërr shalqiri të gdhend një emër:
jashtë shkronjat të rriten në të bardhë,
brenda në të kuqe
dita ditës si zemër.
