SHKOPI I BARDHË
Ia kushtoj B. SH.
Sa më kërkoi parakalim në trotuar
nga krahu im i majtë
Shkopi i Bardhë
i mëngjesit,
dielli pak ka që ka lindur
dhe jashtë i gjeti njerëzit
.
S’bën zhurmë kur prek
si bëjnë ata me moshë,
bie qetë mbi tokë, veç kërkon rrugë,
shtrihet si dorë që të zgjat lule,
prek dheun si gjethet e vjeshtës së dytë
që vazhdojnë të bien mbi trotuar
Shkopi i Bardhë
.
I duhet pak kontakt me tokën
t’i japë impulse, por dhe të marrë
në të dytin e vjeshtës Shkopi i Bardhë.
Do ecësh përpara a do marrësh kthesën?!
Po u ule te kafja do bëhemi fjalë
unë edhe Ju, Shkopi i Bardhë,
po vazhdove rrugën më ke nga pas:
jam ai që ta çel nga krahu i majtë.
