O NATË E MADHE
Nata po më afrohet e më jep drithërima
Me thonjtë e saj sigurt do më gërvishi
Shikoj, mushkonjat mblidhen tek drita
Unë jam në pritje, kur do vij “pickimi”?
Më jep vetëm pak kohë o natë e madhe
Do ta kuptosh të gjithë dëshirën time
Nga bukuria jote të marrë kësaj radhe
Atë që ka vonuar të vijë në ëndërrime
.
Pastaj nuk do të kem asnjë pretekst
S’dua që kjo natë të kalojë si të tjerat
S’dua betejë të humbur që zien e hesht
Të zbutet mendimi, ma sill me erërat.
Jo, s’dua justifikime, se qiejt janë larg,
Me bukurinë e saj do doja të përballem
Njëherë vetëm, merre mbrapsht pastaj
Gërvish e më mbështillë,derisa të ç’mallem.
