PANDEMITË DARDANE
Në Dardani ka pasur gjithnjë pandemi.
Nga Naissusi, në Justiniana Prima deri në Scup.
Para Krishtit dhe pas Krishtit,
Para Te Deum Laudamusit të Niketë Dardanit,
Para Justinianit dhe pas Justinianit,
Para dhe pas Sulltan Muratit,
Pandemi ka pasur në kohën e Gjergj Kastriotit,
Në kohën e
Pjetër Bogdanit dhe në kohën e Ahmet Zogut.
Shumë lisa të mëdhenj ka rrëzuar pandemia
Në Dardani ka pasur murtajë,
Yersinia pestis,
Leprozë,
Malarje,
Kolerë.
Edhe tetanos,
Edhe tifo.
Ka pasur edhe fruth,
Edhe li,
Edhe variola vera
Edhe magji.
Tash ka edhe coronë.
Në Dardani ka pasur edhe jetë,
Edhe vdekje,
Edhe dashuri,
Edhe urrejtje.
Ka pasur edhe smirë,
Edhe xhelozi.
Më shumë luftra,
Më pak paqë.
Ka pasur edhe Shëngjergj,
Edhe Shënmitër,
Edhe Shënkoll.
Ka pasur atdhetarë,
Plisabardhë,
Edhe tradhtarë,
Ca për t’ u qeshur,
Ca për t’ u qarë.
Tash në Dardani ka pandemi pushtetarësh,
Edhe zuzarësh.
Ka edhe pushta për pushtet,
Edhe pushta pa shtet.
Ka pandemi korrupsioni,
Pandemi nepotizmi,
Ka edhe pandemi narcizmi.
Edhe pandemi pikëllimi,
Edhe pandemi trishtimi,
Edhe pandemi largimi.
Ka brengosje,
Ka krekosje,
Edhe çudira,
Edhe marrëzira.
Ka trimëri,
Me pushkë në istikame,
Ka edhe oratori,
Për sy të shkruar
Për sy të zi.
Ka edhe Kalë Troje,
Që pret dhe digjet në diell,
Që laget edhe në shi,
Të hapet Porta e Madhe,
Dhe të hingëllijë:hi hi hi!
Në Dardani ka edhe një copë liri,
Por s’ ka Dardani,
As ka Iliri.
Ka ca mëllenja sqepverdha,
Që krrokasin,
Si shpendkeqet që ndjellin zi,
Vini veshin, vini veshin kush po hyn në Dardani!
Në Dardani ka edhe këngë djepi,
Edhe këngë dashurije,
Edhe këngë morti,
Ka edhe kohë kënge,
Edhe kohë zije.
Dardania ka ecur gjithmonë nëpër zjarre,
Duke përkundur djepa,
Dhe duke hapur varre.
