SHKOLLA E BABAIT
Ç’ kam pasur unë një baba të sertë,
Mbi kokë kishte një plis me shami,
Herë shikimin e kishte të blertë,
Herë shikimin e kish’ futë të zi.
Por dhe ç’ kishte brenda një zemërim,
Që e ndrynte prore si vullkan,
Herë-herë kishte edhe një shpërthim,
Sa e çante shkëmbin jatagan.
Diçka në vete ai shpesh mërmërinte,
Zemërimin si dukej e miklonte,
Por jo rrallë edhe sokëllinte,
Kur mesazhe qiellit i dërgonte.
Nganjëherë kur ai shkopin mua,
Para hundës vëngër ç’ ma drejtonte,
Hë më thoshte, hë a nuk më thua,
Ç’ është kjo shkolla ime dhe shkolla jote?
Unë s’ e dija mirë se ç’ mendim kishte,
Ç’ dallim kishin atëherë shkollat tona,
Për të jeta vet mësuese ishte,
Për mua ca libra netëve të vona.
Tash mbi mua kur ka rënë dëborë,
Unë e mora vesh shkollën e tij,
Ç’ ishte shkolla e babait tim të përkorë,
Ç’ ishte shkolla ime, e jetës gri!
