Zinxhirët e dashurisë
Jam e lirë tashmë,
E lirë nga zinxhirët e rëndë të dashurisë,
Trup,
Duar e kembë
Zemër e mendë…
M’i kishin lidhur.
Zinxhirët e rëndë të një zemre,
robëruar prej një shpirti bosh…
Jam e lirë tashmë,
I thyeva të gjitha hallkat e zinxhirit, me djallëzinë e çmendur të një gruaje të dashuruar …
Dhe vdiq dashuria brenda meje,
pa asnjë hezitim,
të lirë e lashë të shkonte
dhe për çudi,
s’ndjeva asnjë pikë dhimbje,
Asnjë pikëllim…
E çlirët, e lehtë si pupël, prej saj u largova,
E derdha në mes të oqeanit, pa mëshirë.
E plandita brenda tij,
brenda një grope gjigande,
sa të gjerë, të gjatë e të thellë.
Prej saj, qindra dallgë të stërmëdha, u sulën në të gjitha drejtimet,
e si një tërmet, anija u lëkund.
Gropa u duk më e thellë,
një hon i zi.
U dëgjua nga thellësia e oqeanit një kujë…
Vetëtimë,
erdhi deri lart në kuvertë,
Të rënqethur, të gjithë vrapuan e panë kureshtarë,
Ishte kuja e dashurisë së vrarë…
Pastaj, dallgët si me magji u tërhoqën pas,
e njëherësh mbyllën honin e thellë, hapur nga rëndesa e saj,
U varros thellë, brenda oqeanit, në ujin e tij blu në të gjelbër.
Jam e lirë tani,
e lirë, si një re e bardhë dhe ndihem mirë,
kështu dua të jem sa të kem jetë.
Kam frikë të dashuroj sërisht…
Ahhh…
Dashuria, kjo dhimbje e ëmbël
Prangos me zinxhirë të rëndë,
Trup,
Krahë e këmbë,
Zemër e mendë…!
