Wednesday, October 15, 2025
BallinaLajmeTrump: Armenia dhe Azerbajxhani do të nënshkruajnë marrëveshje të paqes në Shtëpinë...

Trump: Armenia dhe Azerbajxhani do të nënshkruajnë marrëveshje të paqes në Shtëpinë e Bardhë

Liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit pritet të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, që mund t’i japë fund konfliktit të gjatë prej dekadash.

Kjo pritet të ndodhë më 8 gusht, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, kur presidenti amerikan, Donald Trump, të mirëpres udhëheqësit e dy vendeve.

Kryeministri armen, Nikol Pashinian, dhe presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev, do të nënshkruajnë gjithashtu marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për të “ndjekur së bashku mundësitë ekonomike, në mënyrë që të shfrytëzojmë plotësisht potencialin e rajonit të Kaukazit të Jugut”, tha Trump në platformën Truth Social më 7 gusht.

“Shumë liderë kanë provuar t’i japin fund luftës, pa sukses, deri më tani, falë ‘TRUMPIT’”, shkroi ai, duke shtuar se do të jetë “një ceremoni zyrtare e nënshkrimit të paqes”.

Sipas zyrës së tij për media, Pashinian ndodhet tashmë në Uashington dhe më 7 gusht vizitoi Muzeun e Biblës.

Shërbimi për media më 6 gusht bëri të ditur se Pashiniani do të vizitonte Shtetet e Bashkuara, ku do të zhvillonte një takim dypalësh me Trumpin dhe një takim trepalësh me Trumpin dhe Aliyevin “për të promovuar paqen, prosperitetin dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon”.

Megjithatë, deri në postimet e Trumpit në rrjetet sociale më 7 gusht, nuk kishte deklarata përfundimtare nga asnjë prej tre qeverive nëse do të nënshkruhej një marrëveshje paqeje.

Marrëveshjet ekonomike mund të hapin rrugën për rihapjen e një korridori strategjik transporti në Kaukazin e Jugut, i cili ka qenë i mbyllur që nga fillimi i viteve ’90.

Sipas zyrtarëve amerikanë, të cituar në raportimet mediatike në kushte anonimiteti, marrëveshjet do t’i jepnin Shteteve të Bashkuara të drejtën e qirasë për zhvillimin e korridorit të Zangezurit dhe do ta emërtonin atë “Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar” (TRIPP).

Ky korridor do të lidhte Azerbajxhanin me rajonin e tij të Nakhçivanit, i cili është i ndarë nga pjesa tjetër e vendit nga një shtrirje 32 kilometra e territorit armen, dhe do të përfshinte në të ardhmen një linjë hekurudhore, tubacione për naftë dhe gaz, si dhe linja me fibra optike, duke mundësuar qarkullimin e mallrave dhe më vonë edhe të njerëzve.

Marrëveshja nuk parashikon që Shtetet e Bashkuara të financojnë ndërtimin e korridorit të tranzitit, por u bën thirrje korporatave private ta zhvillojnë atë. Ajo u arrit pas një vizite të të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, në Baku më herët gjatë këtij viti dhe pas vazhdimit të bisedimeve mes palëve.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT