Kombëtarja e Kosovës është gati për përballjen e rëndësishme të fazës “playoff”, ku nesër në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të presë Turqinë.
Një nga figurat kryesore të skuadrës, Milot Rashica, u shpreh para ndeshjes me realizëm dhe optimizëm, duke vlerësuar kundërshtarin, por edhe duke theksuar besimin te cilësia e ekipit.
“Sado që duam të fitojmë, duhet ta pranojmë se Turqia është favorite në këtë ndeshje. Megjithatë, edhe ne jemi të etur për sukses dhe krenarë që përfaqësojmë vendin tonë. Prandaj po e presim me padurim këtë përballje, duke besuar në cilësinë tonë dhe në mundësinë për të bërë histori,” deklaroi Rashica për mediumin turk Sözcü.
Ndeshja pritet të zhvillohet në një atmosferë elektrizuese, me tifozët që do të mbështesin fuqishëm “Dardanët” në këtë sfidë vendimtare. Kosova synon të shfrytëzojë faktorin vendas dhe të bëjë një hap të madh drejt një arritjeje historike në arenën ndërkombëtare.
