Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë pakënaqësitë e tyre kalojnë në kërcënime, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Me një rast të tillë është përballur një zyrtar policor, që po e siguronte një person që ndodhej në QKUK, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda QKUK-së kanë bërë me dije se polici po e ruante një të dënuar që po trajtohej në Klinikën e Ortopedisë, kur u përballë me kanosjet serioze të një familjari të tij.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari, që ishte vëllai i të dënuarit, e ka kërcënuar policin, duke iu drejtuar me fjalët “Uniformën kom me ta desh e familjen ta zhduki – ta q* familjen”, thonë të njëjtat burime.
Sinjali mëson se personi që po dyshohet për këtë rast është Agron Ejupi, 26-vjeçar, i cili më pas është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij.
