Suksesi me Çekinë është lënë pas nga Kombëtarja dhe nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, kuqezinjtë kanë nisur punën për testin e radhës me Bullgarinë. Ky takim i ditës së nesërme ka karakter miqësor, kështu që stafi pritet të bëjë rotacion në formacion duke u dhënë hapësirë lojtarëve që janë aktivizuar pak, ose aspak, në këtë fushatë kualifikuese për Europianin e Gjermanisë.
Megjithatë, edhe disa lojtarë që luajtën me Çekinë, do ta nisin nesër nga minuta e parë dhe duket se Silvinjo e ka marrë seriozisht dhe kërkon që të thyejë rekordin negativ me Bullgarinë, ku në shtatë përballjet e fundit nuk kemi arritur asnjë fitore.
Seanca e djeshme është zhvilluar në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, por në dallim nga herët e tjera përgatitjet nisën disi ndryshe për kuqezinjtë. Para fillimit të seancës stërvitore, u zhvillua një takim mes ekipit kombëtar të meshkujve dhe të femrave, që drejtohet nga trajneri Armir Grima.
I pranishëm ishte dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, takimi u shoqërua me batuta dhe alegri.
Sa i përket situatës së lojtarëve, Mirlind Daku dhe Keidi Bare janë larguar nga grumbullimi pas ndeshjes me Çekinë, ku sulmuesi iku për shkak dëmtimi, ndërsa mesfushori u la i lirë që të kontribuonte për Espanjolin në kampionat, teksa mori minuta edhe në ndeshjen e së shtunës me klubin spanjoll.
Në mungesë të tyre Silvinjo thirri Marvin Çunin që aktivizohet te Frozinone në Serinë A, i cili kreu edhe seancën e parë me kuqezinjtë. Sulmuesi kthehet pas katër vitesh të veshë fanellën kuqezi, teksa më parë ka luajtur për Shqipërinë U-19. Sa i përket stërvitjes, në fushë me lojtarët u angazhua edhe Zabaleta, jo në krahun e tij natyral, por si mbrojtës i majtë
