HIJET
Hijet u zgjatën rrugëve
me kokë të vegjël
e sy të mëdhenj babëzie
përndjekin ëndrrat
në trajektoret e qiejve
Në hënën e mjelmtë
kacavirren shpirtrave
Në muzgjet
pijnë vesēn
mbi qerpik
Kithët shpojnē
shikimet e qelqëta
belbëzuese
t’u rëndojnë qepallash
zgjimit,mëngjeseve
Hijet
zvarranike të së nesërmes
kacafytur
kuajve të ndërgjegjes
derdhen helm
të mbysin ç’të gjejnë
pa drojë
Funksionesh marrin e japin
me dreqër pa mburojë
shigjeta gjuhësh të panjohura
gjuajnë shtigjeve
ku shtojzovallet këndojnë
këngë Ajkunash
Zënë pritë pabesisht
si Judët
të çakordojnë orët e maleve
t’u presin ujin krojeve
e të thyejnë madhështinë
e maleve
Të zgjaten në pafundësitë
e të pamundurës
Por harrojnë
se nuk maten kurrë me diejtë
