KOMPLEKSE
Në kompleksen time
diagrama jete
alternohen rrëmujshëm
në sistem të shpirtit
Unë stoike
me të panjohurat e mia
vijëzuar hollë
Thërmoj nën këmbë
çaste të vetes
ku pluhros ditët
me nxitime
tek përqafoj mëngjeset
me shpresën
se ditët do të jenë me mua
E ngulfas
nën pasqyra të thyera të shpirtit
aty ku vetja thyhet me të tjerë
Dhe rrekem të kuptoj
në cilën prej tyre
pasqyrimi i vetvetes
ishte i turbullt
Rrëkëllej mendjen
me hov
grumbuj ndjenjash ti përpij
hera herës
të mos jem unë
ashtu vrullshëm e vërtetë.
