Në qytetin e serenadave
ndjeva, pashë, shijova tingujt e kitarave të dashurisë.
U vesha me tinguj dhe këngë dëbore,
në taverna të vjetra me mure dimri.
Këngëtarët vijonin t’i këndonin ende pranverës
dhe ngrinin dolli me gotat plot.
Kishte aq shumë hare dhe valle sirenash,
sa unë e harrova dëborën e parë.
Ah, sa i doja rrugicat e saj,
historinë e shkruar nëpër kalldrëmet e gurta,
ushtarin e atdheut
dhe diellin e munguar në malin e Moravës.
Abc-ja e shkronjave shqip
po na priste përballë.
Unë fola me të
dhe u ndjeva e gjallë.
Tërë mbrëmjen shëtita mes heronjve të bronztë.
Folëm për abetaren, për mësuesit e dritës,
dhe nuk jam çmallur akoma.
Më ishte bërë fjala dritë
dhe trupi – një paqe.
Diku, në mes gurëve, gjeta një fjongo të bardh.
Atë çast, përjetësia brenda meje kishte hyrë.
Qyteti i lashtë më kishte bërë bijë për shpirt.
