Monday, March 30, 2026
BallinaVitrina e libritVELIERO - ITALI PUBLIKON LIBRIN E AUTORES ANGELA KOSTA "DUKE PËRQAFUAR SËRISH...

VELIERO – ITALI PUBLIKON LIBRIN E AUTORES ANGELA KOSTA “DUKE PËRQAFUAR SËRISH DIELLIN”

Libri i ri autobiografik i autores Angela Kosta botuar nga VELIERO APS – Një udhëtim kujtese, dhimbjeje dhe rilindjeje i rrëfyer me sinqeritet të shndritshëm.

VELIERO APS njofton me kënaqësi botimin e librit të ri autobiografik të autores Angela Kosta, Duke Përqafuar Sërish Diellin, i disponueshëm në të gjitha libraritë italiane si dhe në platformën Amazon në tre edicione: Kindle, kopertinë të butë dhe kopertinë të fortë. Vepra është pjesë e kolanës Ombre – Hije, e cila i dedikohet udhëtimeve të brendshme dhe rrëfimeve që ndriçojnë zonat më të thella të shpirtit.
Angela Kosta, shkrimtare, gazetare, përkthyese dhe promovuese kulturore me famë ndërkombëtare, nënshkruan këtu, një nga veprat e saj më intime dhe më të guximshme. Me një zë të pastër dhe autentik, autorja përshkon hijet e depresionit, dhimbjen e humbjeve, forcën e amësisë, lidhjen me rrënjët dhe rikthimin e ngadaltë drejt dritës.

Një vepër që lind nga një periudhë transformimi të thellë.

Duke Përqafuar Sërish Diellin nuk është thjesht një libër: është një rrugëtim ndërgjegjësimi. Është historia e një gruaje që ka njohur humnerën dhe ka gjetur, hap pas hapi, rrugën për t’u ngritur sërish.

Në shfletimin e faqeve dalin në pah:

  • amësia si spirancë dhe premtim
  • përvuajtja si plagë që vazhdon të flasë
  • emigracioni si çrrënjosje dhe rilindje
  • depresioni si sëmundje e heshtur dhe shkatërruese
  • besimi si prani e qëndrueshme
  • shkrimi si shpëtim
    Çdo kapitull është pjesa e një rruge që nuk fsheh asgjë: as brishtësinë, as forcën, as frikën, as shpresën.

Përkujdesja editoriale: fjalë dhe imazhe që dialogojnë

Një nga veçoritë më të çmuara të këtij botimi është prania e portreteve digjitale evokative, të krijuara posaçërisht për të shoqëruar kapitujt më intensivë të librit.
Nuk janë ilustrime të thjeshta, por imazhe simbolike, të afta të rikthejnë vizualisht emocionet e autores:

  • humbjen e vetvetes
  • sëmundjen e rëndë
  • zinë për vëllain
  • vdekjen e nënës
  • emigracionin
  • shtëpinë e zbrazët
  • shqetësimin
  • brishtësinë që bëhet e vërtetë

Por ajo tregon edhe atë që e shpëton:

  • fëmijët
  • nipërit e mbesat
  • besimi
  • shkrimi
  • kujtesa
  • shpresa që rikthehet

Çdo imazh është projektuar dhe kuruar nga shtëpia botuese VELIERO APS, e cila ka punuar me kujdes të imtësishëm për t’u ofruar lexuesve një përvojë unike ku fjala dhe vizioni plotësojnë njëra-tjetrën.
Si botuese, besoj se nëse një libër ka vlerë, atëherë duhet të ketë vlerë edhe kujdesi që i përkushtohet, dhe ky libër e meritonte të gjithin.

Autorja Kosta: zë i njohur ndërkombëtar

E lindur në Elbasan dhe banore në Itali që nga viti 1995, Angela Kosta është një figurë e rëndësishme në peizazhin kulturor ndërkombëtar. Deri tani ka botuar 36 libra, poezi dhe tekste në mbi 45 gjuhë, është anëtare e shumë institucioneve letrare e akademike dhe ka marrë vlerësime në shumë vende të huaja.
Veprimtaria e saj si përkthyese, promovuese kulturore dhe drejtuese revistash ndërkombëtare, e bën një nga zërat më aktivë dhe më të vlerësuar në dialogun ndërkulturor.

Intervistë me autoren Angela Kosta

Në libër ju shkruani se depresioni “hyn në majë të gishtave, si një hije e errët.” Kur e kuptuat se kishte filluar rruga e rilindjes?

“Kur pashë një dritëz të zbehtë në fund të tunelit. Kjo nuk ishte mrekulli e menjëhershme, por një shkëndijëz gati e padukshme, një hap i vockël, por i vërtetë. E kuptova se diçka po ndryshonte kur fillova të lexoja, të ndjeja, të rimerrja frymë.”

Familja, fëmijët dhe nipërit tuaj janë një prani e vazhdueshme. Çfarë roli patën në ringritjen tuaj?
“Ata ishin spiranca ime. Fëmijët e mi janë drita që nuk shuhet kurrë, nipërit e mbesat buzëqeshja që mbush dhe zhduk heshtjen. Tek ata gjeta forcën për të vazhduar të jetoj.

Humbja e vëllait tuaj të vetëm 17 – vjeçar dhe e nënës suaj (e re në moshë edhe ajo), janë dy plagë të thella. Si bashkëjetojnë sot në kujtesën tuaj?

“Janë plagë që nuk mbyllen kurrë, por bëhen pjesë e jotja. Vëllai im është një kujtim që më shoqëron kudo, nëna ime një zë që mbetet kurdoherë. Ata vazhdojnë të jetojnë në gjestet e mia, në mendimet e mia, në mënyrën time të dashurisë së veçantë.

Flisni shpesh për fëmijërinë dhe rrënjët tuaja. Sa kanë ndikuar ato në gruan që jeni sot?

“Rrënjët nuk shkëputen kurrë vërtet. Edhe kur jeta të shpie larg, ato mbeten brenda teje. Fëmijëria ime, familja ime, toka ime: e gjitha kjo jeton ende në mua.”

Duket se shkrimi ka qenë një spirancë shpëtimi. Çfarë përfaqëson sot kjo për ty?

“Shkrimi ishte një mënyrë për të mos humbur vetveten. Ishte një urë mes dhimbjes dhe shpresës. Sot është mënyra ime për të mbetur e gjallë, autentike, e pranishme.”

Keni ndonjë mesazh që dëshironi t’u lini lexuesve?

“Njeriu nuk duhet të ketë frikë nga brishtësia e tij. Aty lind e vërteta dhe drita… edhe atëherë kur duket e largët, ajo rikthehet gjithmonë.”

Duke Përqafuar Diellin është një libër që jo thjesht vetëm shfletohet: ai takon lexuesin. Është një vepër që flet me ata që kanë vuajtur, që kanë dashur, që kërkojnë një mënyrë për të filluar sërish.
Si botuese e VELIERO APS, dëshiroj të falenderoj autoren Angela Kosta që na besoi këtë histori intensive dhe të ndritshme. Ne kemi kuruar çdo detaj, fjalët, imazhet, strukturën, me respektin që i takon një vepre që lind nga zemra.
Ky libër është një gjest dashurie. Dhe tani i përket lexuesve ta thonë fjalën e tyre…

Nga: Francesca Gallello Gabriel Italo Nel Gómez Botuese – VELIERO APS

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT