Sunday, December 28, 2025
BallinaVitrina e libritNDALE TURRIN, PËRBINDËSH NJERI

NDALE TURRIN, PËRBINDËSH NJERI

11 vjeçares së përdhunuar në Kosovë)
Ndale turrin, përbindësh njeri,
a e di se ka Perëndi,
a ke nanë, o a ke motër,
a e ke ndokend që të pret në votër,
m’ përdhunove sot mua, më shkatërrove vëllanë,
më shkatërrove nënën, motrën dhe babanë!
Që nga sot kukulla ime do të qajë,
jam ende e vogël, e kam të vetmen pajë!


Do t’ më dalë zemra prej krahërori,
kur po më prek kjo dorë mizori,
cuclla e qumështit ende mirë s’ më është tharë,
ende nën buzët e mia qeshin dhëmbët e parë!


Ndal e dëgjo këtë përgjërim fëmije,
liro shpirtin nga ky çfrenim çakërdie,
mos më zbath sandalet që sot nëna m’i ka mbathë,
m’ ka ruajtë si sytë, si manare në vathë!


Oh, mos ma shqyej ti sot fustanin,
e kam nga babai, me kordele, ma dogje xhanin,
mos më përdhuno, jo, mos m’ përdhos,
me fytyrë nga toka,
jo, mos m’ plandos!


Sot fëmijërisë dardane i hape varr të ri,
ndale turrin përbindësh-njeri,
faqet e mia për ty janë tepër të buta,
freno turrmonstrumin, ty të nxiftë futa!
Mos më nduk rruzat e mësyshit, në vend floriri,
ende nga buza më rrjedh qumësht gjiri!


Hapu qiell, e vranëso re,
lësho murmurima, mijëra rrufe,
duart tuaja le t’ua ngrijnë,
si çelik të nxehtë le t’ua shkrijnë!


Çjerru qiell e hapu tokë,
mblidh Engjëjt e Drejtësisë Hyjnore kokë më kokë,
dëno ata që i ngrin lotin n’sy një nane,
ata që ia këputën rrezet një hane,
atyre që ia lënduan rrezimin burrëror një dielli,
atyre që ia përdhunuan kaltërsinë këtij Nënqielli!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT