( Viktimave të dhunës e vrasjeve të të paburrëve, në veçanti në nderim
të F. P.)
Sa herë drejtësia e padrejtësia
para syve të tu me egërsi u përlanë,
sa herë vrushkujt e idhët të stinëve,
Eufratët e lotëve e dhembjet dot s’ t’ i përthanë,
sa herë agimet pa ag e mbrëmjet pa muzg
duart tua nga përkundja e djepave dot s’ i nganë?,
edhe pse gërshetin ta ndukën, shkapërderdhën në çdo anë
e skëterrshpirtin e tyre s’ e pranë?!
Sa dushqe të zverdhura në shpirt të ranë,
të rrëzuan përtoke, buzë e ballë të çanë, në zemër të vranë,
të poshtëruan, të prenë në besë, të zvarritën, të shanë, me dashurinë të përçanë,
në lumenj të skuqur e të shëllirtë të lanë,
e me hyjnoren tënde prapë gjetën belanë,
o Ti, Unë që i them vetes e përvuajtur femër, grua, nanë!
Ku more në thua, a s’ ma thua,
Ti, që fatin s’ e vërdallisje në patkua,
luftarake me krihë e fuqi dragua,
Orë Malesh që freskonte ujëvarë e përrua;
si “ besën” e Kanunit e përpiu djalli,
kur para Gruas s’ njehej as më i gjalli?!
O, loti Yt më i shëllirtë se t’ gjitha oqeanet e detet,
në dhembjen e të cilit edhe shkëmbi më i fortë thërmohet e tretet,
prej gjirit tënd ku qëndron ulur galuc jeta,
dritëron dëlirësia e ëmbëlsia,
edhe terrëve të Ferrëve të Danten u vijnë sytë, iu humb verbëria,
klithma jote tund frone më të arta mbretërishë,
shpon re e fshikullon galaktika yjësishë e hyjnishë!
“ Deri kur durim të mund të themi lirshëm “ NDAL”,
deri kur burrëhienat të thonë njëherë “ MË FAL”?!
Dua t’ jetoj, të jem e lumtur vajzë, grua, motër, nanë,
ta mund këtë skëterrë burrërie pa burrëri
që qiellin shqiptar ka zanë e e ka nxi!
