Në atë ballkon paraditeje
një vajzë çame
krihet, krihet…
Dhe se si do t’i lidhë flokët e gjata,
gërsheta,
ja ashtu si fati…
që do t’i varen mbi gjinj
të zeza, të zeza.
(Dy litarë duhen
dhe një degë molle
për të bërë kolovajzën e fëminisë,
por duhen dhe fëminija
dhe vendlindja…
dhe ajo flokët i mban gërsheta.)
Vetëm në ia shplekstë
era e Jugut
si duar e dhembshura
të gjyshes së vdekur.
A mund t’i thonë
vajzës çame
dy duar të vdekura
me dorashka muzgjesh,
mjaft i mbajte flokët kështu,
preji,
se do bëhesh nuse!
