Saturday, March 7, 2026
BallinaSportXavi po konsiderohet nga Unitedi për të qenë pasardhës i Amorimit

Xavi po konsiderohet nga Unitedi për të qenë pasardhës i Amorimit

Ish-trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, po lidhet sërish me postin e trajnerit të Manchester United, pas largimit të Ruben Amorim nga “Old Trafford”.

Amorim është shkarkuar me edhe një vit e gjysmë kontratë të mbetur, ndërsa trajneri i akademisë së të rinjve, Darren Fletcher, pritet të marrë drejtimin e ekipit në mënyrë të përkohshme.

Me shumë gjasa, Fletcher do të jetë në krye deri në fund të sezonit, ndërsa United po riorganizohet dhe synon të nisë një epokë të re në verë.

Sipas “The Telegraph”, trajneri i Crystal Palace, Oliver Glasner, është favoriti kryesor për këtë post, por Manchester United po përgatit një listë të gjerë kandidatësh.

Aktualisht në të përfshihen Eddie Howe, Thomas Tuchel, Julian Nagelsmann, Mauricio Pochettino, Kieran McKenna, Michael Carrick, Roberto De Zerbi, Marco Silva, Gareth Southgate dhe ish-trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, i shkarkuar së fundmi.

Nga ana tjetër, Xavi është lidhur vazhdimisht me United që nga largimi i tij nga Barcelona dhe madje edhe muajin e kaluar u përmend si kandidat, krahas Glasnerit.

“Diario AS” shpjegon se Xavi është sërish në listën e ngushtë këtë herë, edhe pse nuk dihet se sa lart renditet në të.

I shkarkuar nga Barcelona në verën e vitit 2024, Xavi është përfolur për disa poste të ndryshme, por thuhet se do të ishte i interesuar vetëm për një punë te një nga klubet më të mëdha të Europës.

I lidhur më herët edhe me AC Milanin, raportohet se Xavi është “i etur” për postin te Manchester United, por duket se ka ende punë për të bërë që kjo të realizohet.

Një shenjë se Glasner mund të jetë pranë largimit nga “Selhurst Park” është fakti që Crystal Palace tashmë po kërkon zëvendësues.

Nëse kjo lidhet me një kalim të mundshëm drejt “Old Trafford”, mbetet për t’u parë, por raportohet se Palace po shqyrton Jose Bordalas të Getafes si një opsion për verën.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT