Te kroni
Në lagjen tonë kishim një krua.
Ishte i ndërtuar me disa gurë,
Kishte një gyp metali të gjerë sa një thua,
Sa thoi i gishtit t’madh që e ka një burrë!
Shpesh ulësha afër, edhe mbi të,
Kur shkoja te ai krua n’gjunjë ujë më pi,
Rrjedha e tij e vogël nxirrte një zë,
Një zë aq të ëmbël sikur melodi!…
Te kroni shkonim t’paktën një herë në ditë,
Kush për të ujitur e kush dërgonte kafshët …
E ne fëmijët, kur loja na djerësinte,
I turreshim kronit për t’i lagur faqet.
Ai krua s’ishte thjesht vetëm një burim,
Banorët e lagjes shpesh i bashkonte,
Dhe për ne fëmijët ishte pikëtakim,
Edhe pikëshpërndarje kur nata afronte!..
Tash një ditë s’voni shkova t’rri me të,
S’ishte më aty, ishte bërë lëndinë,
E m’u bë se lagjes i ka humbë çdo gjë,
Ai kroni i bekuar bashkë me melodinë!…
