Wednesday, February 4, 2026
BallinaVitrina e libritZanë Mehmeti-Puthje

Zanë Mehmeti-Puthje

Mëngjes i hershëm.
I zakonshëm.
Por, … jo dhe aq.
Dola…
e u gjeta
mbi një pellg argjendi mbi trotuar.
Më priti fryma e ditës,
e tejdukshme,
që rridhte si mëndafsh,
nëpër rrugët e akullta.
Fjolla bore të verdha,
më puthën mollëzat e faqeve,
të ngrohta si gjurmë kujtimesh të fshehura,
diell që fshihet pas perdes së shiut.
Çuditërisht, ngrohtësia e tyre më foli:
“Shiko jashtë zakonshmërisë,
sepse çdo zakon i qetë
është një rrugë e mbushur me sekrete!”
Ngrita kokën,
qielli më shikoi i qetë,
ndërsa lutja ime rridhte pa zë,
e shtrirë si valë dritash mbi pemët e ngrira.
Këngët bajate të furgonit
kërkonin të më shpërqëndronin,
por ata tingujt ia fala
një të moshuari
që ia kisha zënë vendin pranë dritares.
Në anën e majtë.
Gjithmonë në atë anë.
Në të majtë është e vendosur…zemra.
Dritaret e avulluara kapnin çdo frymë,
po sytë e shpirtit ngulita thellë jashtë,
te bora e verdhë,
që i kishte shtruar tokës jorganin e vet.
Bora e verdhë nuk ishte më borë;
ishte rrjedhje e kohës mbrapsht,
një rrugë e fshehtë,
që e kthente të zakonshmen
në çast të çmendur,
dhe më la ta ndieja ngrohtësinë e kohës,
duke buzëqeshur
me kujtesën e diellit të largët,
dhe me një qetësi që nuk e prisja.

Artikulli paraprak
Artikulli i ardhshëm
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT