NË PRAG TË AGUT TË LIRISË
(Fragment nga romani im “Fanarët e një shtrëngate”, SHB “SHKROLA” Prishtinë, 2021
KAPITULLI XXII
Ditë e gjatë kaloi… Po jetojmë në një heshtje të pazakontë e të papëlqyer, ashtu si heshtja e një lavjerësi me zemberek të thyer.
Mugëtira e thellë shtriu krahët e saj të skëterrtë mbi kryeqytet dhe mbi mijëra shtëpi të kredhura në heshtje dhe në pasiguri.
Dikur, natën, rreth orës 21:00 terrin dhe qetësinë, që e kishte mbuluar kryeqytetin e prishën të shtëna armësh kalibrash të ndryshëm, nga të gjitha anët.
Ngado armët vrastare të ushtrisë serbe villnin krisma dhe zjarr…
Ilirja, motra e Front Llapit, që ishte e martuar në Kodrën e Trimave në Prishtevë, nuk u zgjua menjëherë….
—Po shtien!— i thirri bashkëshorti i saj, Atdheu.
—Ku? Nga?!…— pyeti gruaja e re.
Tani edhe ajo vetë dëgjoi gjëmimin e armëve.
—E ku ta dish?— foli i shoqi.
Ai tha:
—Po zbres me vrap poshtë, të marr vesh ç’po ndodhë.
Atdhe Bardhi fluturoi si era teposhtë shkallëve.
Skaj rrugëve pa ca njerëz, fqinjë të tij, që po vëzhgonin fshehurazi dhe dëgjonin se ç’po ndodhte, duke vështruar në horizont, ku po shpërndaheshin drita të zjarrta njëra pas tjetrës.
“As këta s’ditkan gjë!”-, i tha ai vetvetes.
“Po iki me vrap të shoh atje prapa qoshes së rrugës”,- tha ai vetmëvete.
Por edhe atje e njëjta gjë…
Disa veta po bisedonin me zë të ulët.
“Duhet shkuar më tutje”,- mendoi sërish ai.
Që larg, ai pa sipër në ballkon të shtëpisë së fqinjit fytyrën e shqetësuar të Yllit. Pranë tij qëndronte motra e tij, Abetarja.
Atdheu i ngjiti shkallët me një frymë.
Si duket Ylli e kishte vërejtur, prandaj doli ta priste poshtë te shkallët.
—Mos e di ti, Atdhe, ç’po bëhet?— e pyeti Ylli atë.
—Unë erdha t’ju pyes ju!— foli Atdheu.
I vërenjtur e me merak të madh, Ylli ia vuri dorën në supe Atdheut dhe e futi në kuzhinë.
—Kush qëllon kështu?—foli ai, pastaj iu drejtua së motrës:
—Ne po shkojmë!
—Ku po shkoni?— tha Abetarja.
Ajo u nis pas tyre nëpër shkallë; kishte frikë nga të shtënat.
Kur dolën në rrugë, ata befas panë fqinjin e tyre, Metin i cili u tregoi atyre se në Kumanovë para pak çastesh ishte nënshkruar Marrëveshja Tekniko-Ushtarake në mes të NATO-s dhe gjeneralëve serbë…
Ata menjëherë rendën për t’u kthyer në shtëpi, ndërsa Atdheu, pa humbur kohë u ngjit në katin e tretë të shtëpisë së tij për ta vëzhguar terrenin dhe për të përcjellë rrjedhën e ngjarjeve.
Ushtarakët e policët dhe popullata serbe po festonin.
Çdo manifestim i tyre, ishte kërcënim për shqiptarët; çdo gëzim i tyre, ishte hidhërim për ne… Sa herë ata këndonin, ne qanim me lot. Nacionalizmi i tërbuar serb e kishte shkatërruar çdo urë mes nesh e serbëve.
Nga të shtënat u kuptua se tërë kryeqyteti me rrethinë ishte përplot forca ushtarake dhe policore.
Toka po dridhej e qielli po ndizej prej të shtënave nga armët e tyre, nga të gjitha anët. Plumbat binin mbi çati të shtëpive tona, që të krijonin përshtypjen se po binte breshër.
Krismat, vallet e këngët nacionaliste serbe nuk u ndalën gjer në mëngjes.
Kaloi edhe një natë e gjatë, pa gjumë, plot frikë e ankth, por me shpresë…
(Faqe 195-198)
