Ikin shokët, nji nga nji, si gjethet n’vjeshtë,
mbas kujtimesh fluturojnë, heshtje n’derë na lënë,
n’telefon s’ka zë, veç frymë e randë e plogsisë,
e zemra na dridhet, “Ai… s’është më në jetë” kur thonë.
U rritëm bashkë n’nji lagje t’vogël me pluhur e lojë,
me kambë t’zbathuna, top lecke t’bamë e djalni t’pastër,
bajshim garë kush hyp ma nalt n’shelg a kush rrok yjet,
e hanim bukë t’thatë me kripë, por pa mërzi, pa hile.
Na zinte nata në ara, tuj kall kukuvajka e krisma,
e ne, trima t’vegjël, tuj u betue se s’kishim frikë n’këtë botë,
pinim ujë prej krojeve t’fshatit si me qenë eliksir jete,
e thurshim andrra t’pakuptimta nën hijen e kumbullës plakë.
Pastaj jeta na rriti e na degdisi secili në udhën e vet,
dikush me libra, dikush me gurë, dikush me pushkë,
por në shpirt mbetëm ata çunakë t’njiherëshëm,
që qeshnin me lot e qanin me zemër t’hapun.
E tash… një lajm na vjen si thikë:
“Ikën ai… s’e bani dot ma!”
Trupi m’dridhet, sytë lotohen pa leje,
e fjala “përgjithmonë” m’ngjitet si therje n’gji.
Si m’u këput një degë e gjakut tim –
nji pjesë e fëmijnisë u shua pa kthim,
ashtu, pa përshëndetje, pa “lamtumirë”,
veç heshtje e dhimbje që s’mund të vishet me fjalë.
Ikin shokët… mbesin veç za n’përkujtime,
në fotografi t’verdha, në fjalë që s’thuhen ma,
por gjithmonë do t’i kemi aty –
në lojën e fundit, kur e lamë topin t’rrotullohej vetë.
Se shokët s’vdesin, veç ndalen pak përpara nesh,
e na presin atje, ku koha s’ka më vdekje.
