Tuesday, October 14, 2025
BallinaVitrina e libritZymer Mehani-ZËRI YT, KOSOVË...

Zymer Mehani-ZËRI YT, KOSOVË…

Zëri yt, Kosovë,
buron nga thellësitë e gurëve,
nga krojet e kulluar të Arbërisë,
nga lahutat që s’pushuan kurrë së kënduari
për lirinë e munguar.

Në pranverën e hershme të historisë,
kur shpatat e dardanëve ndriçonin,
ti, Kosovë, ishe fushë e betejave
dhe djep i qytetërimeve,
ku dielli i Skënderbeut ndriçoi si amanet.

Shekuj të tërë kaluan mbi ty,
shqiponjat u plagosën në fluturim,
por kurrë nuk u dorëzuan.
Zëri yt ushtoi në malet e Llapit,
në logun e Dukagjinit,
në këngët e Sanxhakut,
në lotin e Çamërisë.

Në Prishtinë e Prizren,
në Gjakovë e Mitrovicë,
zëri yt u ngjit si flakadan
kundër errësirës së robërisë.
Ai zë i Zahir Trimit
dhe i Adem Jasharit,
ai zë i gjakut që flet nga Prekazi,
bëri që bota të dëgjojë:
“Kosova jeton, Kosova çlirohet!”

Erdhën vitet e zjarrit,
kur bijtë dhe bijat tuaja
u bënë mburojë dhe flamur,
kur brigadat e UÇK-së
ta rikthyen emrin e mohuar
dhe në gjakun e dëshmorëve
ngritën themelet e lirisë.

Sot, Kosovë,
zëri yt kumbon në çdo tribunë,
në çdo flamur që valëvitet,
në çdo fëmijë që shqip flet
pa frikë, pa pranga, pa heshtje.

Por zëri yt nuk është veç këngë fitoreje.
Ai është kujtesë, është përgjegjësi,
është thirrje për unitet e drejtësi,
që të mos harrohet kurrë
se liria ka çmim të lartë.

Zëri yt, Kosovë,
është gjaku i derdhur,
është loti i nënave,
është malli i të ikurve,
është amaneti i të rënëve
.
Dhe derisa të ketë një zemër shqiptari,
ti do të flasësh, Kosovë,
me zërin e dhembjes e të krenarisë,
me zërin e përjetësisë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT