Paralajmërimet e kryeministrit Albin Kurti, se në Kosovë janë shtuar dhjetë mijë vende të punës, po shihen si të pamundura dhe lëvdata ndaj vetvetes nga njohësi i çështjeve të ekonomisë, Mustafë Kadriaj.
Kadriaj, ka thënë se Kosova është një nga shtetet me papunësinë më të lartë dhe me nivel jo të mirë të ekonomisë dhe mirëqenies.Teksa ka folur për pretendimet e shefit të ekzekutivit për rritje të punësimit, Kadriaj thotë se një gjë e tillë është e pamundur përderisa nuk ka investime kapitale në vend.
“Për fat jo të mirë, qytetarëve të Kosovës po u servohen ende qeveritë që nuk presin që ta marrin vlerësimin nga qytetarët, por japin vlerësime dhe japin lavde vetvetes dhe kjo nuk është një praktike e mirë, për faktin që dihet që Kosova deri më tani është ndër shtetet me papunësinë më të lartë dhe me nivel jo të mirë të ekonomisë dhe mirëqenies, dhe kur dihet se kjo qeveri si e rrallë ndër qeveritë tjera deri më tani që nuk ka asnjë investim kapital që mund të thuhet që të ketë mundësi të nivelit të rritjes së punësimit. Përderisa nuk kemi investime me të cilën bazë ky kryeministër mundet me vlerësua se ka nivel të lartë të punësimit, dhe nëse ai punësim duhet të dëshmohet se përmes trustit pensional ose Bankës Qendrore, që është shuar ky nivel i punësimit”, tha ai.
Ndërkaq pretendimet e Kurtit për rritje të eksportit për 66 për qind, Kadriaj e sheh si të pamundur, përderisa thotë se prodhimi në Kosovë nuk e mbulon as tregun vendor, raporton EO.
“Ky është kulmi më i madh i nivelit se çfarë niveli qeverisës ka Kosovë, për faktin që kur dihet se ende raporti eksport-import për fat jo të mirë është jo në favor të Kosovës, dhe të flasim për një shifër prej 66 për qind, është diçka që më të vërtetë nënçmuese për qytetarët, sepse kjo nuk qëndron, dhe përderisa nuk kemi prodhim që nuk e mbulon as tregun vendor, si mund të flasim për eksport, kur dihet se shtetet fqinje, sidomos ai verior aspak nuk e ka ulur nivelin e eksportit në raport me Kosovën, e mos të flasim për vendet tjera”, tha ai.
Në mbledhjen e katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit që u mbajt të martën, kryeministri Kurti ka thënë së në Kosovë janë shtuar dhjetë mijë vende të punës dhe një rritje të eksportit në 66 për qind.
“Qeveria e re përbëhet nga persona të arsimuar mirë, me integritet të lartë dhe të orientuar drejt reformave, të cilët janë të etur për të shtyrë përpara suksesin. Si rezultat, kemi parë progres në të gjitha sferat. Pas një tkurrjeje prej 3.1% në vitin 2020, siç raportohet nga Banka Botërore, tani po përjetojmë një rritje të jashtëzakonshme ekonomike. Eksportet tona janë rritur për 66%, të hyrat tona janë rritur për 30% dhe kemi shtuar rreth 10 mijë vende të reja pune në ekonomi”, ka thënë Kurti