Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit ka aprovuar tarifat e reja për shërbimet e ujit në periudhën 2022-2024, të cilat do të vlejnë nga 1 janari 2022.
“Tarifat për ujë dhe ujëra të ndotura të aprovuara përmes këtij procesi tarifor reflektojnë koston reale të prodhimit të ujit të pijshëm, shkarkimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura. Tarifat janë mbajtur të pandryshueshme, përveç rasteve kur ka pasur kosto shtesë për shkak të futjes në operim të impianteve të përpunimit të ujit të pijshëm, impianteve të përpunimit të ujërave të ndotur apo ngritje të kostos së ujit me shumicë”, thuhet në njoftimin e Autoritetit Rregullator të Ujit.
Konsumatorët shtëpiakë për shërbimet e ujësjellësit nga “KRU Prishtina” për një metër kub ujë deri tani kanë paguar 0.43 euro, kurse konsumatorët komercialë dhe institucionalë 0.69 euro.
Tani çmimi është rritur për një cent për metër kub ujë për konsumatorët shtëpiakë dhe tarifa do të jetë 0.44 euro ndërsa për ata komercialë dhe institucionalë çmimi është ulur për dy centë dhe do të jetë 0.67 euro për metër kub.
Nga shërbimet me ujë “KRU Hidroregjioni – Prizren” për konsumatorët shtëpiakë tarifa nuk ka ndryshuar nga 0.38 euro për metër kub, ndërsa për konsumatorët komercialë dhe institucionalë çmimi është ulur nga 0.67 euro në 0.57 euro.
Ndërsa nga shërbimet me ujë në “KRU Hidrodrini – Pejë”, për konsumatorët shtëpiakë tarifa qëndron prapë 0.25 euro, për konsumatorët jo–shtëpiakë tarifa është ulur për 7 centë, nga 0.44 euro në 0.37 euro.
Për konsumatorët e ndërmarrjes “KRU Mitrovica”, tarifa e ujit për shërbime shtëpiake është rritur nga 0.34 euro në 0.36 euro, kurse për shërbime jo-shtëpiake çmimi është ulur nga 0.55 euro është bërë 0.54 euro.
Në “KRU Bifurkacioni – Ferizaj” tarifat për konsumatorët shtëpiakë nga 0.35 janë rritur në 0.37 euro, ndërsa për ata jo-shtëpiakë kanë mbetur njësoj, 0.55 euro.
Për konsumatorët që marrin shërbimet e ujit nga “KRU Hidromorava – Gjilan”, tarifat për konsumatorët shtëpiakë janë rritur nga 0.34 euro në 0.35 euro, ndërsa për konsumatorët jo-shtëpiakë tarifa është zvogëluar nga 0.54 euro në 0.52 euro.
Konsumatorët shtëpiakë që marrin shërbimet nga “KRU Gjakova” do të paguajnë tarifën e njëjtë për metër kub ujë si në vitin 2021, 0.37 euro ndërsa ata jo-shtëpiakë do të paguajnë 11 centë më pak apo tarifa është zvogëluar nga 0.67 euro në 0.56 euro.
Sipas ARrU-së, tarifat e reja të aprovuara do të aplikohen nga 1 janari 2022, me mundësi rishikimi eventual të këtyre tarifave për të reflektuar ngritjen e kostos së energjisë, kemikaleve dhe lëvizjet tjera inflatore ne vend.