Saturday, December 21, 2024
BallinaVitrina e libritÇaste poetike me poeten Landa Molishti

Çaste poetike me poeten Landa Molishti

SHKËLQIM NË KËRKIM!

E kërkoja, e kërkoja, e kërkoja,

O sa shumë, e kërkoja si i marrë!

Atë yll drite, që prej shekujsh s´e kisha parë?!

Papritur, dridhjet pushtuan kraharorin tim,

Vallë, në ëndërr jam, apo në thellim-meditim!?!?

Nga ky zgjim, diellor ngashërim!?…

Dy shpirtëra, si dy lule të pastra,

Të ftohura nga vesa e Tetorit!

Që pushojnë të “heshtura”…,

Pranë, e pranë njëra tjetrës?!…

Dikur, lumturinë, koha ua mori.

Disi shokuese, e pakuptueshme, e valë….

Një tërmet ” tronditjeje…”, i zgjoi petalet,

Vërshuan, u realizuan idealet!….

Viteve të fshikulluara idhshëm,

Nga kamxhikët e kohës, të lënduara,

Të plagosura, mërgimtaret e jetës!

Miliona rreze ngrohtësie,

Në tokën arbërore rrodhën,

Nga burimet e thella shpirtërore,

Si dy zogj të trembur,

U shfaqëm në horizonte!…

Dy buzëqeshje u drodhën,

Në buzët tona?!?!

Të lumtur u përqafuam.

E vijat e ballit, tinëzisht dëshmuan…

Tmerrsisht, ishim plakur!…

Ecëm në sheshet, dalëngadalë,

E, lumturinë e befasishme shijuam.

Bisedën e këndshme miqësore,

Si valë deti e vazhduam!….

Triumfuam, mbi kohën mizore,

E shkelëm mërzinë!…

Ecëm përpara , ngadhnjimtarë, Me buzëqeshje, u ndamë krenarë

A KEMI GUXIM?!

A kemi guxim të shohim njëri-tjetrin në sy,

Të pranojmë gabimet, kur gabuam?!

Sot, nesër është vonë për t’i korrigjuar.

Nëse nuk jemi të sinqertë, unë e ti.

A kemi?!

A kemi guxim, forcë, vendosmëri,

Të mos luajmë më tej, me fatin tonë.

Bashkë të mendojmë, për të sotmen,

Bashkë të veprojmë, për atdhmëri.

A kemi?!

A kemi kurajë të shërojmë shpirtërat tona,

Të lënduara, nga ndonjë marrëzi,

Duke përkrahur fort, njëri-tjetrin,

Me respekt e dashuri,më të fortë do të jemi,

unë e ti.

A kemi?!

A kemi guxim të pranojmë të vërtetën,

Jo, të mendojmë, të jetojmë me dyshime,

Të fajsojmë të tjerët për gabimet tona,

Tê vjedhim kohën, duke akuzuar, mirë pa vepruar….

A kemi guxim, esëll të mendojmë,

Për breznitë tona të ardhshëm,

Pak, në mos aspak s’po mendojmë.

Kështu, si guxojmë; papërgjegjësi,

Më keq se zvarranikët, po jetojmë.

A kemi?!

A kemi guxim mençurisht të pranojmë,

Se, i kemi kthyer shpatullat, krenarisë,

Nuk duam të mësojmë, të shohim as dëgjojmë për nderin e besnikërisë, të lavdisë…

Pse, historinë e kemi shqelmuar?!

A nuk duhet t’i vëmë gishtin kokës,

Se, kështu më nuk ecet përpara,

Kështu, gjithnjë i shërbejmë armikut dhe tradhëtisë.

A nuk e dimë se, demokracia popullore,

E denjë, e lirisë madhështore,

Nuk lulëzon, pa rrëzuar hajnat, mashtruesit e babëzisë, që po na mashtrojnë-tradhëtojnë prore.

Veç kështu mund të ecim pëpara,

Me një Shqipëri Etnike, të ribashkuar!

Me një Shqipëri, të përparuar,

Ashtu, si luftëtaret dhe luftëtaret e saj,

E kanë dëshiruar, e kanë ëndrruar.

……………………………………….

PSE PO HESHTIM,O POPULLI IM?!

Pse po heshtim, o populli im,

Kur mërzia, ka lëshuar rrënjë.

Zemrat, sa nuk dalin nga gjokset.

Kur buzëqeshjen, ta ngrinë në buzë?!

Pse po heshtim, Nëna Shqipëri po loton shumë…

Ku janë trimat dhe trimëreshat,

Pse na iku guximi, të veprojmë,

Pse po heshtim, gjaku shqiptar është derdhur lumë?!

Nuk ditëm, as po dimë të ruajmë lirinë?!

Pse po heshtim, para lotëve të nënave sokolesha,

Atyre, që gjithçka dhanë për Shqipërinë.

Për bijtë e tyre dëshmorë, trupi ju dridhet si purteka,

Pse po heshtim, për mundimet dhe zhvillimet…

Me djersët e ballit, nga sakrifica të etërve tanë,

Luftuan për barazinë, që na mungon sot,

Pse hajnat faqezinj, po na sundojnë anembanë?!

Pse përditë i durojmë, të tallen me heronjt tanë?!

O sa tmerr?! Në emrin e tyre vjedhin, tradhëtojnë…

Bëjnë pazarlliqe me pasurinë e atdheut, aq lehtë.

Pse nuk e heqim, sëmurjen më të keqe, që po na sjellë gjëmë?!

Nga gjendje e tillë katastrofike, gjendje tejet kaotike,

Po vriten fëmijë të pafajshëm, përdhunohen, grabiten,

Shteti ligjor ka dështuar.

Nga atdheu pandalshëm, po ikën rinia jonë heroike.

Dhe, ikjen e gjakut të ri, qetsisht po e vështrojmë?!

Vrullet rinore po derdhen, nuk e dinë, as ku po shkojnë.

Pse kujtohemi që kemi atdhe, vetëm në ditë festash,

Përsëri e përsëri, idhshëm po heshtim përballë së keqes…

Flamujt t´i valëvisim me krenari, nga heroizma brezash.

Ata si krimbat po i thajnë pemët, me rënien e gjetheve të vjeshtës…

A po mendojmë, o të uruara brezni; ju pyes me ngashërim.

Ne, çfarë po ju lëmë brezave të ardhshëm, për krenari,

Çfarë përgjigje do t’ ju japim, për

trashëgim…

Për ardhmëri, për të uruarën tonë, Nënë Shqipëri?!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT