PREJA GËRSHETIN FJALËS
……………………………..
Preja gërshetin fjalës
Se ditës i duhet guximi
Ta arrijë zenitin e këngës
Përfoljeve po iu vie fundi
Nëse unë jam shënjestra
Shigjeta duhet vënë për faqe
Ta pikasim cakun
Për një adhurim ëndrre
Preja gërshetin fjalës
T’ia hapim shtegun zemrës
Trillimet nuk na duhen në asnjë çast
Mes brigjeve të dashurisë
Sot qenka ditë krejt ndryshe
Mes nesh duhet vënë rrufepritës
Syri i keq po gjezdisë
Ta ndal lojën në mes
Të përgjërohem për të fundit herë
Preja gërshetin fjalës
Kohës i duhet gjak i ri
Mes dy epokave të dashurisë.
……………………………………………
SINOPSIS, PËR VARGJET
Mbrëmë u mejtova gjatë,
Deri në bjerrakohë
Dhe gjeta fillin e vargjeve.
Një tis i hollë kujtese
Më përftoi në mendje,
Sa ta prek këtë fillim të ri,
Që më zgjon esëll,
Tej ëndrrave të ikura,
A dhuntisë, që përcëllon ,
Dejve të gjakut plot jetë.
Çuditërisht, me këto vargjet,
Si më rrjedhin në parakalim
Dhe më bëjnë kurreshtar,
Deri në ringjalljen e melankolisë!
Vijnë vërdallë, me frymën e kujtimeve
Dhe dehem me mushtin e tyre,
Deri në pafundësi.
Var në vesh fjalët, mendimet…
Si unazë në gisht i bart gjithandej,
Sinopsis vargjesh,
Qëkur fillimi ishte fjala,
Pambarimisht, ndryrë në kujtesë.
………………………………………………………..
QIELLI KËTU KA PAMJE TJETËR
…………………………………………..
Dita e mirë shihet në mëngjes!
Fjalë që thuhet me gjuhën e njeriut tim
Sa herë e kujtoj më shtohet besimi
Qielli këtu ka pamje tjetër
Lulet çelin me dritën e parë të agimit
E ditës i buzëqesh mrekullia në shkrepa
Horizonte kaltroshte mbushin ditën e re
Qielli këtu ka pamje tjetër
Atdheu i këndon ditës plot begati
Stinëve gurgullojnë këngë bilbilash
E jetës i vjen forca e lavdisë
Qielli këtu ka pamje tjetër
Në shtatë kontinente shpalos ëndrrat
Për dashurinë e dheut që frymëzon
Para diellit zbres trojeve ilirike
Qielli këtu ka pamje tjetër.
……………………………………………………..