Dhe kur t’mrrish në Fushë t’Rmajit,
dallendyshe ulu me pushue;
kam dy vorre n’at vend t’vajit,
t’nans e t’babs qi m’kan mjerue:
qaj me za t’përmallshëm shqim
nji kangë tanden gjith vajtim!…
………………………………………………………………………………………………………..
Shkëputa këto vargje nga një poezi e Shirokës, një nga të shumtat poezi të kësaj gjinie, të cilën, shqiptarët, ndoshta, më shumë se askush tjetër e kanë kënduar. Të kafshuar në shekuj nga mërgimi, të cilin e kanë emëruar nëpër poezi dhe këngë si një përbindësh, e kanë quajtur të egër, të zi e sa e sa epitete i kanë vënë, për të shprehur mospajtimin me të. Ndoshta kjo poezi, poezia e mërgimit, për ne duhet trajtuar në një kontekst të veçantë, pasi gjithnjë ajo ka qenë, dhe është në ditët e sotme, poezi emocionuese, poezi që të shkakton mornicat e në raste të ndryshme dhe buzëdridhje. Është e tillë kjo poezi, sepse autorët të vjetër apo të rinj, nëpërmes vargjeve, mbushur me metafora,krahasime, epitete kanë shprehur e përcjellë ndjenjat më të pastra të shpirtit të tyre. Në këtë kontekst, mund të themi se kjo poezi ka shprehur gjithmonë ndjenjën më të pastër e të bukur të autorit. Autorët në këtë poezi, herë bisedojnë me një rrugë, ku kanë mësuar të ecin, me një fushë ku kanë lozur me shokët, një lumë,të cilit ia kanë parë dallgët e rrëmbyera apo rrjedhjen e qetë, herë herë flasin me një mal,herë me një varr apo me kujtimet e fëmijërisë, të cilat i ngjiten për trupi si hije dhe i shoqërojnë ngado që shkojnë e kurdoherëNjë nga këta poetë, që me mall e dhimbshuru i këndojnë, qoftë dhe një guri në rrugë,apo një zogu në degë të qershisë, është dhe poetja Landa Molishti. Ajo në poezinë “SA HERË” i drejtohet jo më një objekti të veçantë, por me sa duket dikujt shumë të madh, të madh, aq sa vetëm malli, dhe fantazia e kurbetqarit, mund ta arrij dhe ta fusë brenda gjoksit të tij,- atdheut. Ajo, si shumë poetë të tjerë, por në individualitetin e saj të theksuar, në këtë poezi herë duket se e qorton, herë bie në gjunjë para tij si para të vetmes Perëndi që njeh, i lutet, i përgjërohet sepse pa të, ajo ndjehet e vetmuar._”Nuk të vjen keq, as kur më sheh kurshtërngoj dhëmbët, të mos qajë,”-Sa prekse janë këto vargje, të cilët burojnë nga një shpirt i pastër, i gjendur larg më të dashurit, atdheut. Malli ja copton shpirtin e ajo mundohet të mbajë lotët sepse e di se atdheu nuk don lot, por këngë, por largësia e dobëson aq shumë shpirtin e emigrantit shqiptar,sa shpesh tek lotët gjen qetësimin, dhe pse shumë mundohet të mos qajë. Kërkon të mos dorëzohet, të qëndrojë me shpresë se ditët, ditët të cilat i shënon në kalendar duke i hequr një nga një, por për çudi ato hiqen vetëm në letër, ndërsa në shpirt grumbullohen si një çiban që fryhet e fryhet pa pra’-“Ndjehem si e futur në një tunel të errët,që s’e gjejë dot rrugën të dalë.”-Ky është realiteti i emigrantëve tonë. Gjithnjë gjenden në mes të një tuneli, nga ku, në errësirën e thellë, nuk dijnë nga të mbajnë. Të ecin përpara drejtë të panjohurës, apo të kthehen mbrapa drejtë akullnajës që trashet e trashet pa pushuar. Të kthehen atje nga ku erdhën, po si të kthehen, kur si për ironi të fatit, vetë atdheu, po vuan nën kafshimet e egra të përbindshave. E shikon këtë realitet të hidhur poetja, jonë Landa Molishti, shikon padrejtësinë, e cila tashmë është kthyer në zotëruese mbi gjithçka,bren çdo qelizë të vendit,ka dalë e hedh vallen e shëmtuar lakuriq në mes të sheshit, pa i friksuar nga asgjë. Shikon se në atë vend, të cilin ajo, si shumë të tjerë, e duan aq shumë, shumë bashkatdhetarë të saj gjenden udhëkryqeve të jetës,udhëve të botës-“Ndihem e përhumbur, e tretur…Sikur të gjithë më kanë faj, dhe askush”-Kush nuk ndjehet i përhumbur larg rrugëve ku ka mësuar të ecë? Ku mund t’a hedhësh hapin më të sigurtë se në ato rrugë? Ngado të shkosh, kudo të ndodhesh,askund nuk e shikon rrugën e kthjellet, nuk e shikon buzëqeshjen e horizontit në mëngjes ashtu siç e shikon në vendin tënd. Vetëm aty njeriu ndjen sigurinë. I gjendur nëpër udhët e panjohura, shpirti shpesh dobësohet. Dobësohet dhe fillon të kërkojë të gjejë arësyen. Herë fajson veten, herë fatin herë të tjerët. Fajson e nuk di kë, fajson dhe nuk di pse,kërkon dhe nuk di çfarë. Është i përhumbur në mjegullën e dendur dhe të ftohtë të shpresave të pashpresa. Dhe ditët e verës duken të ftohta, duket sikur vetë palca ngrinVërej kalimtarët buzë detit, dikush flet me vete.-“Unë tundem valë-valë; më mbanë të pathyeshme një dashuri, një ideal.”-Poetja jeton plotësisht e mbërthyer në Hallet e vendit. E njeh atë në çdo qelizë, njeh rënkimet e tij,të cilët ashtu, si shigjetë e shpojnë shpirtin e saj të pastër. Ata, të cilët malli dhe halli i atdheut i bren, herë flasi me vete, herë me atdheun, sepse guri aty në krye as nuk flet as nuk dëgjon. Guri i cili peshon rëndë mbi shpatullat e shoqërisë vetëm rrit rëndesën. Ndoshta dhe ai në mënyrën e vet flet me vete, por flet i përfshirë nga sëmundja e madhështisë, ai flet ndryshe, jeton ndryshe, dëgjon ndryshe. Njerëzit flasin me vete sepse nuk dijnë kujt t’i drejtohen. Kanë humbur busullën kanë humbur shpresën, shikojnë një të ardhme të mjegullt pa entusiazëm. Zhgënjimi rritet çdo ditë duke shtyrë e shtrydhur shpresën, bëhet sundues shpirti, sundues i gjithçkaje. Poetja e shikon këtë tek njerëzit e thjeshtë në shoqërinë tonë, tek njerëzit kur nxitojnë për të shkuar në punë apo tek ata që shtrijnë “duart e mpijta” siç thoshte Migjeni.-“Me kokën ulur në një gur,Sikur s’ mbahet dot, në stuhi…”-Sa e dhimbëshme.! Poetja me syrin vëzhgues, me aftësinë njohëse të shqisës së saj prej poete, shikon se bashkëkombasit e saj janë shpirtërisht të vrarë dhe ajo, për të mos i lënë të bijën me kokë në baltë u gjejn një gur për të mbështetur kokën. Më vijnë në mend vargjet e një këngë të motshme. “…Dyshek, tokën, dhe jastëk gurin” thoshte kurbetqarit kur i dërgonte fjalë nënës, e cila priste pranë pragut me shpresë se ai do të kthej, e kur ai nuk mund të kthehej më, sepse sorrat dhe korbat e hanë, pasi kishte mbetur atje, përtej urës së Qabes, këngëtari anonim, këndon këtë këngë të dhimbëshme kurbeti…_”Dikush zhgënjim-trishtim, si unë, ka marrë.Dua të përhumbem, në kaltërsinë e detit,Të ndeshem me dallgët e shkumbëzuara, Të luftoj me forcën time, tĕ iki nga këto trazime… “-Dua të përhumbem në kaltërsi…Poetja jonë lodhur nga kjo mjegull e dendur, ngre zërin e protestës ndaj këtij realiteti dhe kërkon kthjelltësi, kaltërsi, sepse në fund të fundit,intelektualët janë ata që duhet të ngrenë zërin. Dua të ndeshen, qoftë dhe e vetme, me dallgët e detit. T’i luftoj ato dallgë të egra, t’i rrafshoi të shpëtoj unë e gjithë ata që e ndjejnë këtë dallgë të shkurtuar që sjellë mjegullën në shpirtin e njerëzimit.-“E ç’të pres, një pendim nga dikush,”-Ajo tashmë është e bindur se ajo stuhi që solli mjegull,apo ata njerëz që sollën shkatërrim, nuk do të pendohen. Është vetëm zëri i popullit, është pena e poetëve që duhet të zgjohen për ditë më të bukura për gjithë popullin. Ajo thotë se durimi i njerëzve për këtë gjendje kur nëna kërkon fëmijët e nuk i gjen sepse shumë kanë ikur në rrugët e panjohura, të tjerë do të mungojnë përgjithmonë,sepse e tillë erdhi kjo kohlfëmijlt kërkojnë babanë, ikur larg apo përgjithmonë, gruaja kërkon burri. Në këtë gjendje ajo ndjehet se ashtu si të gjithë, dhe ajo, natyrisht ka hisen e saj të dhimbjes. “Lule dimërore që nuk vyshket dot? Thotë poetja. Pra dhe shpirti i saj ashtu si ai i popullit, të cilit i përket, do t’a ndjejë këtë dhimbje e si të mos shqetësohet, të mos “vyshket”…-“Apo, kala e pamposhtur me gurët-xhevairet e saj të tretur nëpër botë”-Mjaft me lëvdata thotë poetja. Kush jemi ne? Kemi dëgjuar demagogji, dëgjojmë demagogji, hamë lëvdata me lugën bosh, kur më të mirët bijë janë tretur rrugëve pa krye të botësPoezitë e saj përfaqësojnë një vlerë e veçantë. Ato janë shpirti i mbushur me dashuri dhe atdhedashuri. Kjo autore vjen para nesh me këtë poezi mjaft të frymëzuara dhe të mbushura me emocione. Vargjet e saj janë herë protestë, herë mall,herë këngë apo ninulla. Fjalët e saj na japin një univers të pafund emocionesh sepse i kushtohen dashurisë për atdheun dhe njerëzit e mirë. Ato sjellin në jetë një regjistër të pafund të ideve dhe ndjenjave. Vargjet e saj janë petale të metaforizuara në fjalë. Poetja vjen para nesh me poezi të frymëzuara dhe të ndritshme.Bukuria e fjalëve në poezi zgjon shqisat e fjetura. Mirazhi i poezisë i jep një jetë dhe një fuqi, një të drejtë qytetare, çdo lloj arti. Moj poezi,ashtu si shumë të tjera është një poezi snetimentale dhe ekzistenciale. Ajo e ngrenë zërin me fuqi dhe kërkon drejtësi për shoqërinë, drejtësinë për ata që nuk i dëgjohet fjala, për njerëzit e urtë,për njerëzit e vusjtut Qasjet e saj janë imagjinare në botën tonë, si dhe në jetën e përditshme,me imazhe dhe panoramë autentike. Suksese poete e nderuar Landa Molishti Mehmet Rrema Krujë .
……………………………………………………………………
SA HERË?!
Sa herë unë tulatem, ty më “godet”
Nuk të vjen keq, as kur më sheh kur
shtërngoj dhëmbët, të mos qajë,
Duart të mbledhura grusht, të mos dorëzohem.
Çudi, kur të godasin padrejtësisht,
Çdo gjë e bukur para syve, të duket e trishtuar.
A nuk e din, shpirti im lëndohet,
Ndjehem si e futur në një tunel të errët,
që s’e gjejë dot rrugën të dalë.
Dita e verës me diell plot shkëlqim,
Më duket errësi, pa dritë,
Ndihem e përhumbur, e tretur…
Sikur të gjithë më kanë faj, dhe askush.
Ty, shkelë si një Zot, mbi mirësinë time.
Fjalët e mia, ende s’e thyejnë heshtjen?!
Vërej kalimtarët buzë detit, dikush flet me vete.
Unë tundem valë-valë; më mbanë të pathyeshme një dashuri, një ideal.
Me sy e kuptoj hallin e tij.
Pak më tutje një tjetër,
Me kokën ulur në një gur,
Sikur s’ mbahet dot, në stuhi…
Nga dikush zhgënjim-trishtim, si unë, ka marrë.
Dua të përhumbem, në kaltërsinë e detit,
Të ndeshem me dallgët e shkumbëzuara, Të luftoj me forcën time, tĕ iki nga këto trazime…
E ç’të pres, një pendim nga dikush,
E ç’ jam unë, e çfarë i dukem dikujt se jam unê?!
Lule dimërore, që nuk vyshket dot,
Apo, kala e pamposhtur me gurët-xhevairet e saj të tretur nëpër botë