Tuesday, December 10, 2024
BallinaTurizmiHotelet dhe bujtinatSa kushton një natë nëpër hotelet e Prishtinës?

Sa kushton një natë nëpër hotelet e Prishtinës?

Hotelet në Prishtinë, sidomos ato afër qendrës janë shumë të shtrenjta në krahasim me ato të cilat gjenden në periferi dhe në qytetet e tjera. Çmimet e akomodimit në shumicën absolute të hoteleve në kryeqytet janë shumë më të larta edhe nga disa herë, ta zëmë me hotelet e përafërta, apo krejtësisht të ngjashme në Shqipëri në këtë sezonë.

Buletini Ekonomik në javën e parë të këtij viti, ka vizituar shumë hotele në kryeqytet, me ç’rast domosdo kanë ra në sy çmimet relativisht të larta, dhe shumë më të larta se në disa vende të rajonit, e sidomos më të shtrenjta se në hotelet shqiptare.

Në Prishtinë, në zonën e qendrës, aktualisht çmimi për akomodim për një natë në disa hotele sillet nga 40 euro deri në 2 mijë euro.

Mirëpo, përveç këtyre hoteleve që duket të kenë një çmim pak sa më të arsyeshëm për xhepin e kosovarëve, çmimet në disa hotele të tjera janë më të larta.

Njohësi i mirë i turizmit, Zekë Çeku (Ekspert Senior i Turizmit) ka thënë p se politika e çmimeve në hotele, është ndër politikat më të rëndësishme biznesore në mikpritjen hoteliere.

Sipas tij, çmimet e hoteleve vendosen në bazë të disa faktorëve dhe parimeve, kurse në Kosovë ato vendosen në bazë të çmimeve të hoteleve të ngjashme, pa iu përmbajtur parakushteve dhe rregullave specifike të secilit hotel dhe lokacionit të tij.

“Shpeshherë çmimet e përcaktuara në këto hotelet, nuk i përmbushin kërkesat e pritura nga mysafirët, siç janë “value-for-money”, pra a prezantojnë ato vlerën dhe standardet e ofruara për një çmim të caktuar”, ka thënë Çeku.

Ai gjithashtu shtoi se tashmë në Kosovë ka mundësi më të mëdha për të gjetur akomodim që u përshtatet mundësive financiare të secilit segment të mysafirëve.

Çeku thekson tutje se shumica dërmuese e hoteleve afër qendrës së Prishtinës, ofrojnë çmime më të shtrenjta, sesa shërbimet dhe produktet që ofrojnë, duke u mbështetur ekskluzivisht në rëndësinë e lokacionit, sidomos për grupet familjare dhe ato të organizuara, në veçanti të segmentit të biznesit.

Sipas tij, në Prishtinë dhe rrethinën e saj, ka 4-5 hotele me kapacitet dhe zgjidhje më të mëdha sa i përket segmenteve të mysafirëve individual dhe grupeve më të mëdha, kurse numri më i madh i hoteleve është për kategori më të ulëta dhe kapacitete më të vogla.

“Kohëve të fundit, sidomos në 2-3 vitet e fundit, është rritur mjaft numri i hoteleve të vogla dhe atyre të llojit të hosteleve, bujtinave dhe boutique hoteleve, të cilët ofrojnë akomodim me standarde më modeste dhe çmime relativisht më të favorshme”, tha tutje ai.

Ndër tjerash, ai përmendi edhe disa faktorë në të cilët duhet të varet çmimi i shërbimeve të çdo hoteli.

Sipas Çekut, çmimet e hoteleve duhet bazuar në llogaritjen e kostove të përgjithshme të inputeve, duhet marrë parasysh parimin e “vlerës për paranë” (“value-for-money”), poashtu çmimet duhet të jenë të bazuara në produkte të mirë përcaktuara dhe përbërësit e tyre, të merren parasysh çmimet konkurruese, gjithashtu të zbatohen faktorët e çmimit të negociueshëm për grupet e vizitorëve/mysafirëve, grupet e të ftuarve që kthehen, bazuar në politikat e çmimeve të përcaktuara mirë më parë dhe shkallëzimin e niveleve të zbritjeve si dhe të bëjnë aplikimin e formave të tjera të aplikueshme të çmimeve promocionale, duke marrë parasysh sezonalitetin, ditët specifike të javës dhe festat kombëtare, si dhe festat fetare.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT