Nesër në mesditë në Skenderaj do të protestohet kundër dhunës dhe vrasjes së grave, duke dënuar vrasjen e djeshme të Lirije Qerimaj nga bashkëshorti në Llaushë të Skenderajt.
Protesta paqësore është organizuar nga OJQ Gratë Intelektuale të Drenicës dhe nis në ora 12:00 nga sheshi “Adem Jashari”, për të vazhduar te Gjykata, ndërsa marshi përfundon para stacionit policor.
“Të dashur qytetare e qytetarë të komunës së Skenderajt. Ju ftojmë që nesër, 7 dhjetor, në ora 12:00 në Protestë paqësore kundër dhunës dhe vrasjes së grave! Ne dënojmë dhe protestojmë kundër vrasjes së djeshme të Zj.Lirije Qerimaj nga bashkëshorti në Llaushë të Skenderajt. Nisja nga sheshi “Adem Jashari, për të vazhduar tek Gjykata ndërsa marshi përfundon para Stacionit të Policor. Ne si gra kërkojmë dënim maksimal për dorasin”, thuhet në njoftim.