UJKU
Dy Shqiptarë të mençur u grindën një ditë
Me shqelma, me grushta godit e godit.
U shanë e u rrahën, ç`je ti e ç`jam unë
Nga vëndi ku rrinin të dy u vërsulnë.
Me flokët përpjetë, me thonjtë në fyt
Njeriu njeriun kërkon që ta mbytë.
Kërkon t`i marrë jetën, të gjallë ta hajë,
Kërkon ta vrasë natën, e ditën ta qajë.
Jo kjo është jotja, jo kjo është imja
Të ndahet edhe trau, të ndahet edhe qimja.
Me sy të përflakur,në kokë hipën gjaku
-Këtë ma la gjyshja…këtë ma la plaku.
E kalon aty pranë një ujk i uritur,
E ndal vrapin ujku, u thotë i çuditur:
“Ju dija të mençur, ju dija të zgjuar
Edhe kafshët urtinë nga ju kanë mësuar.
Po ndaluni djema! Pse ziheni? Mosni..!!
Kur rrugës kalova kujtova se lozni
Dhe desha t`u haja, por tani s`kam ç`ju dua
Se ju qënkeni ujqër, më ujqër se mua..!”
~ Jorgo Papingji ~