Sunday, December 22, 2024
BallinaKulturëPavaroti tenori i jashtëzakonshëm

Pavaroti tenori i jashtëzakonshëm

Luciano Pavaroti, i konsideruar si një nga muzikantët klasikë më popullorë në historinë e regjistrit të muzikës, u lind më 12 tetor 1935, në Modena të Italisë. Kur lindi, qau kaq fort sa mjeku u tha prindërve muzikantë, se ai do të ishte një tenor i shkëlqyer. Që i vogël këndoi në koret e operave lokale, si dhe i pëlqente të ishte mësues. Në 1961 u vlerësua në një konkurs lirik. Po atë vit debutoi me rolin e Rudolfit në “Bohème” të Puçinit. Po të njëjtin vit, këndoi “Traviata”, në Beograd. Me ndikimin e tij, me llojin e tij, ai mund të quhet pa frikë sinonimi i operës, për gjenerata të tëra anembanë botës.Mësues, amator i pikturës dhe zbulues i talenteve të rinj, jeta e lirikut më popullor Luçiano Pavaroti nuk resht kurrë së na surprizuari dhe habituri, shpesh i njohur me nofkën “Luçiano fatlumi” dhe “I madhi P.” nisur nga shtati madhështor.Në rrugëtimin e tij 71-vjeçar, legjenda e operës, tenori i famshëm i gjithë brezit të tij kapërceu kufijtë e artit të tij, për t’u kthyer në një ikonë të jashtëzakonshme të kulturës dhe jetës publike, shkurt e bukur një “qytetar i botës”. Më shumë se kushdo këngëtar tjetër, Luçiano Pavaroti demokratizoi operën dhe e bëri atë të pëlqej nga shumë adhurues. Pavaroti mbeti një tenor i popullit, duke u ndjekur nga një publik i të gjitha shtresave shoqërore. Pavaroti qe gjithashtu i pari këngëtar operash që u shndërrua në yllin e stadiumeve, duke i zhvendosur ariet e tij më të bukura jashtë sallave të operave, në salla të paana spektaklesh në të cilat këndonte si solist para mijëra spektatorëve.

“Luçiano Pavaroti ka pasur një jetë të pasur me ulje e ngritje si një film i madh demokratik dhe si çdo protagonist interesant, ka qenë një njeri i kontradiktave të konsiderueshme”. Karriera e tij ka qenë e ndjekur nga ambiciet artistike, të shoqëruara me një talent të jashtëzakonshëm dhe nga një dashuri e thellë për njerëzimin. Gjatë karrierës së tij 45-vjeçare operistike, tenori më i famshëm që nga koha e Karuzos interpretoi me figura të artit që nga Plaçido Domingo e deri tek këngëtarët e mëdhenj pop si Mariah Carey, Selin Dion, Xhorxh Majkëll, Bon Xhovi, Sting, Bono, etj. e deri tek grupi britanik pop “The Spice Girls”, megjithëse u kritikua se kishte sakrifikuar artin për komercializëm.Zë unik, i shumë duartrokitur nga publiku, shpeshherë është krahasuar me Enriko Karuzon, Luciano Pavaroti imponohet gjithnjë e më shumë si një nga mjeshtrit më të mirë të kantos. Interpretues i lirikës italiane, tenori italian me zërin diellor, përtej të zakonshmes, me një personalitet të jashtëzakonshëm, u mirëprit me entuziazëm tek amatorët e operës që në fillimet e tij, në 1961, falë disqeve të shumta të regjistruara, para se të krijonte grupin “Tre Tenorët” së bashku me kolegët Hoze Karreras dhe Plaçido Domingo.Gjithsesi, emri i Luciano Pavarotit mbetet ende në ditët e sotme si një referim i jashtëzakonshëm i artit lirik. Është laureat i çmimeve të shumta, më prestigjiozi “Grammy Award”.Në vitin 2004 ndërmori një turne lamtumire, që iu desh ta ndërpriste në vitin 2006, për t’u operuar nga kanceri i pankreasit dhe për fat të keq në vitin 2007 u shua përjetësisht.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT