Sunday, December 22, 2024
BallinaKulturëSalmanRuzhdi Shkrimtari i “mallkuar”

SalmanRuzhdi Shkrimtari i “mallkuar”

Salman Ruzhdi është ndoshta, një nga tregimtarët e fundit të mëdhenj të epokës sonë, dikush që nuk i druhet faktit të tregojë histori po aq magjike, sa edhe realiste, dikush për të cilin, fjala trillim ka një domethënie të jashtëzakonshme edhe pse herë pas here bie pre e grackave më mizore të realitetit më të dhunshëm.Salman Ruzhdi, me emrin e plotë Sir Ahmed Salman Rushdie, u lind më 19 qershor 1947 në Bombei të Indisë, shkrimtar britanik, romanet alegorike të të cilit trajtojnë çështje historike dhe filozofike përmes personazheve surealë, me humor të vrazhdë dhe melodramatik. Trajtimi i subjekteve të ndjeshme fetare dhe politike e shndërroi atë, në një shkrimtar tejet të diskutueshëm. Emri i Salman Ruzhdi nuk është i panjohur, madje edhe për lexuesit e rëndomtë të të gjitha moshave. Bëri emër sidomos pas botimit të “Vargjeve Satanike”.Jemi në vitin 1989, në Londër. Salman Rushdie është në shtëpi, duke menduar për të birin 9-vjeçar, të cilit i kishte premtuar t’i shkruante një histori që ai të mund ta lexonte. Mendoi për kometën e Shën Gjonit, ninulla e shkruar nga Paul Simon, për djalin e vet. “Vogëlush i përgjumur, a e dini se sa është ora?” dhe papritur bie telefoni. Përgjigjet dhe mëson me anë të një gazetari, se është dënuar me vdekje nga ajatollahu për shkak të librit “Vargjet Satanike” dhe ai mendon përsëri për djalin: “Nëse nuk mund të shkruaj për të vënë tim bir në gjumë, mund të jem një baba i famshëm, por jo një superbaba”. Ishte pikërisht kjo fatwa që nis një kohë të çmendur, kur atij i duhet të fshihet, të dalë me shoqërues, anëtarët e të cilëve dyshojnë për të gjithë, madje edhe për njerëzit e tij më të afërt. “Unë jam si Edit Piaf, nuk kam asnjë keqardhje”, – shprehet autori. Tridhjetë vjet më parë në Iran, më 14 shkurt 1989, ajatollah Khomeini, me një dekret fetar, dënon me vdekje Salman Ruzhdi, autorin e “Vargjeve Satanikë”.

Publikimi i “Vargjeve Satanike” në shtator të vitit 1988, shkaktoi polemika të menjëhershme në botën islame, për shkak se libri u perceptua si një përshkrim satirik i profetit Muhamed. “Vargjet Satanike”, libri i tretë i Salman Ruzhdi tregon historinë e profetit “Mahound”, kujdestar i një zbulimi ku vargjet satanike bashkëjetojnë me hyjnoren, duke propozuar një reflektim mbi të Mirën, të Keqen dhe Luftën e tyre të përjetshme. Shumë shpejt libri shkakton skandal në botën myslimane, që shihet si një fyerje ndaj Kuranit dhe e konsideron veten të parodizuar: një muaj më vonë, ndalohet në Indi, vendi i origjinës së shkrimtarit, pastaj në Afrikën e Jugut, në Pakistan, në Arabinë Saudite, në Egjipt, në Somali, në Bangladesh, në Sudan, në Tunizi, në Malajzi, në Indonezi, në Katar… Tridhjetë vjet, nën siguri të lartë.Në Britaninë e Madhe, ku Salman Ruzhdi jeton që në moshën e adoleshencës, në janar 1989, u organizua një tubim nga shoqata islamike “Shoqata për Nxitjen e Tolerancës Fetare”, ku u dogjën ekzemplarë të shumtë të librave në Bradford. Shkrimtari mori një sërë letrash kërcënuese, duke e akuzuar për blasfemi, ndërkohë që një nga zinxhirët më të mëdhenj të librarive në vend, W.H Smith, duke u ndier i kërcënuar, vendos ta tërheqë librin nga shitja. Shkrimtari Stephen King, sikurse edhe shkrimtarë të tjerë, luajtën një rol esencial, duke u ndaluar librarëve refuzimin e ekspozimit të “Vargjeve satanike”, ndryshe nuk do kishin të drejtën për të shitur librat më të sukseshëm të tyre”

Sa i përket shkrimtarit, jetoi në fshehtësi deri në vitin 2002, banoi jashtë shtetit për njëzet vjet, u amerikanizua në vitin 2016, ndërsa sot refuzon të jetojë në fshehtësi. Sa i përket jetesës nën mbrojtje, ai dëshmon: “Mendoj se në fillim nuk ishte edhe aq frika, por tronditja e madhe. Kur sheh imazhe në televizion, turma njerëzish në rrugët e një qyteti të huaj me imazhe të tuat që të kanë nxjerrë sytë… është shumë shqetësuese. Në fillim, isha i bindur se do vdisja shpejt. Por, mendoj se kam kuptuar se për të mbijetuar, duhet t’ia lija çështjet e sigurisë njerëzve që janë kompetentë për atë punë, kurse unë duhej të vazhdoja me procesin e të qenit vetvetja dhe të mbijetoja si qenie njerëzore. Gradualisht, u përshtata me këtë mënyrë jetese… Nuk e shpenzoj shumë kohën, për t’u trembur”. “Librat që shkruajmë, duhet të jenë libra që nuk mund të shmangen. Ata duhet të kenë diçka të nevojshme për ju, sepse librat që nuk janë shumë të rëndësishëm për shkrimtarin, lexuesit dhe dashamirësit e ndiejnë dhe në këtë rast, do të ishte mirë të kurseheshin pemët. (…) Ekziston një numër i madh librash në botë. Nëse doni të shtoni një punë në këtë mal, duhet të mendoni se nuk keni zgjedhje. Motivimi im, ka qenë përherë: të shkruaj librin që nuk mund t’i shmanget shkrimit”, – shprehet ai.Salman Ruzhdi është autor i gjashtëmbëdhjetë librave, ndër të tjera i romanit “Fëmijët e mesnatës”, që ka fituar çmimin “Booker Prize” në vitin 1981, çmimin “Booker of Bookers” në vitin 1993 dhe çmimin “Best of the Booker” në vitin 2008. Romani “Psherëtima e fundit e Arapit” ka fituar çmimin “Whitbread Prize”, në vitin 1995 dhe çmimin e Bashkimit Europian “Aristeion” për letërsinë, në vitin 1996. Në vitin 2007, Salman Ruzhdi u nderua me titullin e Kalorësit, për shërbime ndaj letërsisë. Ai është anëtar i “The Royal Society of Literature” dhe i “l’Ordre des Arts et des Lettres”

.Burimi Hejza

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT