Të kanë treguar për një histori,
Një histori me yje dhe çmenduri,
Si në mbrëmje ai e puthi me mall
Në mëngjes ajo me dashuri.
Të kanë treguar si u ndanë ata
Ka qenë dimër e di me siguri
Në mëngjes ajo harroi ta puthte
Në mbrëmje në akull u kthye ai.
Të thanë si e kërkuan njëri – tjetrin,
Në skajet e botës pa cak,
Ai harroi të përdorte busullën
Ajo hartën se përdori aspak.
Të kanë treguar për një dashuri,
Një dashuri si çdo histori,
Si një mbrëmje ai e braktisi,
Në mëngjes atë s’ e pa njeri.
…………………………………………………………………….
Më jep një ditë ekstra
Një ditë prej trëndafili
Ose prej shikimi
Vetëm ma jep, nuk ka rëndësi
Cilit muaj ia shton
Mjaft që e shton për mua
Që unë të të dua vetëm ty,
Të të pres vetëm ty
Të bëj që të bien puthje nga qielli i nëntorit
Ose prekje nga qielli i marsit
Asnjë muaj nuk do të zemërohet nëse më fal
Një ditë ekstra
Ma fal prej trëndafili
Ose margarite
Vetëm lulet kanë fuqinë
të dhurojnë një ditë extra
Lulet dhe dashuria
……………………………………………….
QYTETI NË GJUMË
Fli!
Qytet i grindur
Me klithmat e fëmijëve
Dhe ninullat e ëmbla
Që ndërpriten
nga kolla e pleqve.
Fli!
Fashiti pëshpërimat
Rënkimet mbaji në gji
Dhe ëndrrat e frikshme
Mos i trego në rrjedhë uji.
Fli!
Gjithë natën e pikturuar
Me kristalte yjesh
Dhe hënën që përgjon
Dritaret
Dhe në mëngjes
Zgjohu përsëri.
………………………………………………………
NDONJË DITË
Përtej të përditshmes
Ku je ti,
Ku jam edhe unë
Gjymtuar nga pritjet,
Ka një qiell rozë,
Por që pas gjithçkaje
Është thjesht reflektim.
Përtej të përditshmes
Ku je ti
Që për t’u bërë interesant
Mbështillesh me harresë,
Ku jam edhe unë
Që qesh me kapriçot
Prej fëmijë,
Ka një rrugë,
Por që pas gjithçkaje
Përshkohet edhe vetëm.
Përtej të përditshmes
Tënde
Dhe të përditshmes time
Ka gjithmonë diçka
Që domosdoshmërisht
Nuk duam t’i japim
Kuptimin e rutinës,
Por që e vrasim
Me dinakëri,
Sepse mendojmë
Se kështu tregohemi
Më inteligjentë
Se paraardhësit…