PRITJE
E pritëm gjatë e pritëm
Shpeshherë e rritëm pritjen
Shumë herë e gërvishëm
Por vragët ranë mbi lëkurën tonë
Dhe pritja u bë pritje kronike
E shpresa ndritje
Filluam të shqyejmë pritjen
Me shpresën që lëngon kohësh
Syrin ia shkelëm ëndrrës
Zgjuar jemi
Me syrin e shkelur n`mëdyshje.
…………………………………………………………….
KUJTIMI
Si ylberi pas shiut
Kur puth qiellin cep më cep
Të falë ëndrrën dhe tretet
E ty të mbetet ëndrra
E kujton nga pikturat e vargjeve
E ndjen çastin e horizontit
Mbushesh kaltërsi
Lartësi…
Por
Fryma të thahet
Zemra të ndahet
Bie si një fluskë dëbore lehtë
Ftohtë
Në tjetrën botë.
………………………………………………………
YLLI I SHUAR
Ylli I shkëputur dritë fanitur
S`ta pashë dritën
Por ta njoha bërthamën e prushit
Sot ta ndjeva të ftohtit që t`ngriu
Sa përflakshëm më mungoj
Dritësimi yt
Yll I harruar n`hoje t`horizontit
Sa thyerjet n`plagën e ëndrrës
Përjetshëm sorollatur kujtimesh
N`tryezën e uritur t`shpirtit
Flej n`pafundësi dhembjesh
S`falet vegimi I dritës s`hirt
Mbi pamëshirë
Yll I këputur hojesh t`horizontit.