SE JEMI NE
Ëndërr e bukur, pranverë e vonë,
një thirrje më vjen në telefon:
“Alo, jam unë, a më dëgjon?”.
M’u veshën sytë përmbi ekran,
dy pika lot mbi të më ranë:
“Ku ishe, kur të desha pranë?”.
Të thashë përhumbur, drithëruar,
inat e mall tek unë trazuar,
pas zërit tënd e dashuruar.
Ah, zëri yt plot drithërimë,
sërish ma zbuti shpirtin tim,
ti prapë më vjen çdo gjumë e zgjim.
…………………………………………………………………
Jam me ty..
Ti nuk mund të më shohësh,
sonte për ty jam nderur në puhizë.
Ti do gjethet dhe mua,
gjethet ndehen në degë dhe unë në ty.
Përgjoj hapat e tua. ..
Po vjen?
Po pra kur po vjen?
Nuk mund të rri e veshur me gjethe,
Gjethet nuk mund të rrinë një jetë në degë.
Unë me ty dua një jetë!
Nuk mund të bëhem për ty vetëm dëshirë…
Dhe vjeshtën ta përcjell,
fletë më fletë
dhe degë më degë,
Sì dimër lakuriq.
Jam aty si aromë përkëdhelëse. ..
në shtratin e kurmit tendë.
Gjethet mbahen në degë,
Unë në krahun tëndë.
Po të pres fletë më fletë,
Po të përgjoj degë më degë.
Aty ku ti sa herë më gjen,
Veshur me verë dhe me vjeshtë,
Kur po vjen?
Aty ku ti e di që unë…
Bëhem rrënjë,
Bëhem flutur,
Bëhem fletë,
Bëhem veshje,
bëhem vjeshtë dhe vjershë.
Po vjen?
E pra ,kur po vjen?
Nuk jam gjethe për pak kohë në degë,
Unë jam ti.
Kur po vjen? …
…………………………………………………………………………
Lojë në dashuri ?
Po bën sikur po ikën?
Por jo, mos e ndiz dritën,
si asaj nate të parë,
prapë eja plot zjarr.
Po bëj sikur s’të dua,
siç bën dhe ti me mua
dhe heshtur rri dhe rri,
sa plas dhe plas në gji.
Po s’vije, do të vija,
se kjo është dashuria,
që flet në shpirt dhe sy,
tek unë, te ne, tek ty.
Sikur po ik’ po bëj?
Po prapë ja ty të gjej,
më do, s’mundesh pa mua,
s’mundem pa ty, të dua.