Kisha shkuar në Prishtinë bashkë me Ismajl Qerimin (1956-2014) në një takim me redaktorin, Sami Kçiku të librit tim “Kabashi i Anamoravës” që pritej ato ditë të dalë nga botimi. Aty takuam Bekim Fehmiun, i cili po dilte me botuesin Abdullah Zenelin nga zyra. Po dalim për kafe, thanë. Ejani edhe ju se Samiu nuk është këtu. Me një kafene në Kurriz (Prishtinë) zumë vend. Ismajli i kish bë një shërbim të madh Bekimit dhe ai ishte mirënjohës për ketë. Gjatë pushimeve në Prishtinë hajnat ja thyen banesën Bekimit në Beograd. Me të marrë vesh për këtë ai do të niset për Beograd … Ismajli qëllon aty dhe me veturën e tij për 7 orë e çon në Beograd. Si adhurues i tij kisha lexuar e shikuar filmat e Bekimit, mbledh e ruajt fotografi nga revistat e kohës, bile një foto pata nxjerr nga revista “Shqipëria e re”, që më vinte ilegalisht përmes gasterbajterëve me punë në shtetet Perëndimore dhe e mbaja të varur në mur. E pyeta për një vizitë të ushtarëve në Llukavicë afër Sarajevës, në kohën e xhirimit të filmit “Kurthi për gjeneralin”, ku isha ushtar edhe unë. Po, më tha, dhe e dinte vendin e datën kur erdhi në kazermë. Më habiti për përshkrimin në detale të atij takimi të ndodhur para 27 vjetëve. Doja ta pyesja edhe për rolet, për librin në dorëshkrim etj, por nga respekti i tepruar dhe emocionet nuk më dilnin fjalët. Derisa e kisha ashtu përball artistin, i cili kurrë nuk harroi kush është dhe prej nga ishte, artistin që projektuesit e teorisë shoviniste e të zhdukjes së shqiptarëve i kundërshtoi me emër e mbiemër, si: Ivo Andriq, Vaso Çubrilloviq, Dobrica Qosiq etj, kujtova vitin 1968 kur TVB të premteve në orët e mbrëmjes kishte në program filmin “Odiseu”. Mblidheshim ne vëllezërit Abdyli dhe ashtu së bashku te Hajrushi (Hajrush Zeqiri 1936-1996) shikonim filmin në të cilin Bekimi luante rolin e heroit të Homerit. Të gjithë që hynin e dilini në kafe e përshëndetshin. Nuk përtonte me dashamirësi e gjithë qejf t’ju kthente përshëndetjet. Foli me admirim për filmbërsitë në Amerikë që në vitet kur shpërtheu lufta në Jugosllavi ata e kishin thirr në tel. dhe pyet mos ndoshta ka nevojë për ndihmën e tyre. Foli për filmin “Mbledhësit e puplave”, artin e letërsinë. Tregoi momentin për refuzimin kategorik të tij në kërkesën e producentëve për ndryshimin e emrit dhe ultimatumin që ua ka thënë se nëse donë bashkëpunimin me te: “Të mos përsëritet në gazeta edhe njëherë se jam grek. Jam nga Jugosllavia, po nuk jam jugosllav, më saktë, jam shqiptar nga Kosova”. Prishtinë, gusht 1997