KA DISA NJERËZ
Ka disa njerëz, meritojnë respekt,
Kan mirësi, porsi fisnik janë,
Saqë nuk mjafton vetëm kjo jetë,
T’ju kthesh pas atë që të dhanë.
Por ka disa njerëz, e kuptoni vet,
Kur kan nevojë në derë i ke,
Saqë nuk mjafton vetëm kjo jetë,
T’ju marësh pas atë që ju dhe.
………………………………
SHKRUAJ LOT, E SHKRUAJ VAGJE
Seç më ra një pikë loti,
Ashtu kot, si pa kuptuar,
Në kujtime më tërhoqi,
Në mendime shumë trazuar.
Seç më ra një pikë loti,
Pas tij pasoj një tjetër,
Loti, lotin seç e ndoqi,
Mar një laps e shkruaj mbi letër.
Rastësisht i frymëzuar,
Përmbi letër shkruaj vargje,
Në mendime ligjëruar,
Shkruar loti nëpër faqe.
Derdhen lotët përmbi letër,
Shpirt e zemërs’më gjejnë paqe,
Gjithësisht prekem në sedër,
Shkruaj lot e shkruaj vargje.
…………………………..
BALTA
Nga balta erdhëm, në baltë u rritëm,
Me baltë pa mëshirë u sulmuam,
Me baltën e hedhur gurët i lidhëm,
Fortesa të larta me baltë ndërtuam.
E ëmbël balta se na dha bukën,
E hidhur e shkreta kur ngecnim në të,
U ulëm në gjunjë me mall e puthëm,
E sham e mallkuam kur s’prodhonte gjë.
Në baltë ecëm, në baltë lam gjurmë,
Me baltë njëri-tjetrin fund krye përlyem,,
Në fund të jetës u penduam shumë,
Nga balta erdhëm, e baltës ju kthyem.
……………………………………………..
QAJ HALLE
Kujtoj kur isha fare i vogël,
Babai e nëna çoheshin me natë,
Të dy rreth vatrës në cep të odës,
Zjarrin ndiznin me një dorë kashtë.
Jashtë bënte ftohtë, era të shkulte,
Të dy menduar rreth vatrës rrinin,
Nëna me shtiza një triko thurte,
Babai me mashë trazonte hirin.
Ashtu menduar, seç bisedonin,
Përpiqesha të dëgjoja ndonjë fjalë,
Flisnin zë ulët, se mos na zgjonin,
Herë herë dëgjoja fjalën hall.
Tek biseda e tyre me mbeti mendja,
Ndaj pyeta nënën, përse bëhej fjalë,
-Euuu…. o bir, të keqen nëna,
-Na del gjumi, “qajmë” ndonjë hall.
I pafajshëm isha, fare i vogël,
Rreth vatrës kërkoja të gjeja hallin,
Kujtoja mos ishte ndonjë lodër,
Çfardo që të ishte, përse e qanin?
Por vitet ikën, unë u bëra burrë,
Kuptova ç’ishin hallet në të vërtet,
Tani dhe unë si prindrit dikur,
Rreth vatrës i qaj për çdo natë vet.
……………………………….
MUZA E POETIT
Ti mund të jesh mbretëreshë,
Të rrosh e lumtur pranë mbretit,
Por është tjetër gjë të jesh,
E ëmbëla muzë e poetit.
Në mbretëri do mbash kurorë,
Do kesh vëmendjen e një shteti,
Por është hyjnore të kesh në dorë,
Atë që të dhuron poeti.
Poeti të vendos në maj të penës,
Në labirinte shpirti të ngatërron,
Të kyç thellë brenda zemrës,
Ç’është dashuria të tregon.
Poeti të gjesdis nëpër planete,
Të shpje mes yjesh të vallëzosh,
Me një varg të bën për vete,
Të bën me shpirt ta dashurosh.
Magji më vete është poeti,
Për ty shpirtin nga trupi nxjer,
Poeti të kthen në sirenë deti,
Poeti të vesh me pranverë.
Mund të kesh gjithçka që do,
Të jesh sunduesja e planetit,
Por është tjetër gjë, më beso.
Të jesh muza e poetit.
SHKËLQIM ZIRAJ