Rrënjët
Rrënjët ushqehen atje nën pemën mijëra vjeçare të jetës
Në atë tokë,atë copë shkëmb,ku shqiponja mbi kurore i rri
Siç i rrinë korbat ndër krahë, në pritje të të vdekurve
Të gjakut që thithin rrënjët,
Me gjithë elementet që pema të riciklohet
Por gjaku, si gjaku ushqen zemrën, rrënjët.
E rrenja fryhet në damar të kuq, e njerëzit nuk qetësohen
Si nga thirrja e gjakut…
Rrënjët mbajnë pemën e Adamit e Evës
Gjenezën e shpërndare degë me degë
Lule më lule , gjethe më gjethe, në fotosintezë
Rrënjët janë atje, bashkë në qendresën e shekujve,
Të njerezve,të beseve,
Degët harlisen nga erërat, kacafyten, përqafohen,largohen, ribashkohen
Rrënjët jane aty përjetesisht,
Ngulur thellë nën tokë me të parët
Degët janë memoria,të gjallët..
*
Aromën e parfumit abstrakt, pa adrese
Në ndjelljen demoniake nuk mund ta gjente
As busulla e çakorduar në mes të dimrit,kur
Eteri përqafonte vellon e mjegullës
Shndërruar në mbulesë për rrënjët që flinin
Në paralizën e ëndrrës ku busullat prisnin
Deri në zgjimin e lules së kujtimit.
*
Të kesh vëllezër do të thotë
Ta ndash zemrën në pjesë të barabarta
Të peshosh dashurinë deri në miligramë
Të mendosh nga mëngjesi në mbrëmje
Dhe pse nuk i telefonon,çdo ditë
Për t’i lënë jashtë kësaj çmendurie
Që quhet Motër.
……………………………………………………………………………………………..
Shi dimri ne Paris
Shiu atë mëngjes i zbrazi lotët rrëke
Tek na priste jashtë metrosë,i pergjumur
Dhe kjo ishte mirëseardhja e qiellit gri
Kryeqytetit lumierë Pari*
Kryqëzime rrugësh, fatesh , njerëzish
Tinguj të largët akordeoni melankolik
Kulla Eifel, aq afër dhe aq larg,zbehur
Nën mjegullën e dendur,abazhuret e rrugës
Rrinë ende të ndezur,
Ngaqë mëngjesi vjen vonë në Pari… Dhe ne, të nxituarit drejt officiel rendez-vous Në kartje dë z’Alyetë që dremiste në qetësi.
Ndoshta diku, dikush u zgjua, prej hapave tanë
Ah, zhurmëmëdha këto takat e mia…
Për të parë, prapa perdeve të rënda, kadifeje,
Fasadave Hausman gri,pëshpërisin
“Uf, këta imigrantë, ndofta klandestin,
Nuk qenkan Ritaltë panjohur këta…ah, nga Lindja, “Jashtëtokësorët”po hyjnë në Pari“
Ne, këta etranzherët*e panjohur
Dashuronim atdheun e tyre të bukur
Gjuhën e Molierit, vargjet e Bodler, Hygo, Prever.
Dikushët, dikur do t’u rrefenim histori Ballkani, dhe
Komunizmi,që shëmbej bashkë me muret, e
Nga Ferri i Dantes, iu ngjit lart oksigjenit të lirisë.
Atë ditë zymtësisht gri,katedralesh gri në Pari
Ku shiu s’do t’i ndahej nga vetja
Ku lotët do t’i rrëshqisnin faqeve ende të njoma
Rininë që pat lënë në tokën e vet
Jo se nuk e donte, jo , por për ta dashur më shume,
Sepse ajo tokë, do të ishte mungesa…
Dhe mungesa, Requiem.
*Pari-Paris
*Quartier des Alouettes Fontenay-Paris
*Rital- shprehje e perdorur kur italianet kur imigronin ne France.r- refugie ital- italiane.
*Étranger -i huaj