Betohem në emër të gjakut e të shpirtit tim të shenjtë,
Vetëm të vërteta të them, të vërtetat e mia të trishta:
Dashuria është e bukur vetëm kur nuk dashuron.
Shumë vite më parë, kur isha ende i parritur,
Më desh një vajzë, si unë, me fytyrë të njomë.
E putha një mbrëmje nën hijen e qelqtë të pishës,
E putha siç di të puthë një djalë ende i parritur,
Një djalë që ende s’e di ç’është pengu në shpirt.
S’e putha më, kuptohet, aq ish dashuria për mua,
E kisha thirrur sa për t’i marrë lotin-hënë e zbehtë-
Që do të ndriçonte nga larg mbretërinë time magmatike.
Dhe një vajzë më pas, një tjetër, një tjetër,
Shumë herë jam puthur, e fërkuar, e nxehur
Me vajza netëve, nën hije pishash ku flinin
ca zogj të vegjël qytetesh,
Dhe kam ikur prej tyre pa dhimbje, krenar madje,
Si një kalë i egër, që ende s’e di ç’është mëgojza.
Ç’kisha bërë fajësisht të mbrëmshen,
lehtësisht e kam harruar të nesërmen.
E them, në emër të gjakut tim prej burri
e shpirtit tim prej fëmije,
Besomëni, për gjithçka jam penduar. Ti, Zot që je në qiell, në ke ndër mend të zbresësh një ditë
Në tokën tënde të ndaluar, eja tani!
Për mëkatet e mia mund të më ndëshkosh më lirisht se kurrë,
Jam krejt i pambrojtur, sepse jam i dashuruar.