Friday, March 14, 2025
BallinaVitrina e libritCikël poetik me poeten Jonida Sheholli

Cikël poetik me poeten Jonida Sheholli

Baladë

Nuse e plagosur në shekuj

Kosova ime e tkurrur në çdo anë

Shqipëria ime e sakatosur

Oreksesh e çmendurish të Europës

Që thikë pas shpine të ranë

Dhe të lan të vrerosur

Dyerëve të botës

Atje ku mëshirë nuk kanë

Atdheu im i vuajtur

Nën këmbë e jataganë

Me tytën e maliherit në ballë

Kokëulur e i ndruajtur

Se sytë çfarë nuk të panë

Dhe bukën gatuar me strallë

Dhe emrin e huajtur

Kur vatrën ta shanë

Kohët e mia të varfëra

Me fytyra të pluhurosura

Ma njohët trimërinë

Shtigjeve të ashpra

E udhëve të baltosura

Ma zhlyet lirinë

Dhe ikët me të katra

Errësirash të katranosura

Kur shpalla pavarësinë

Shtëpia ime e vjetër

Me oxhakun e drejtë

Që i falet qiellit

Mbi kokë s’duron tjetër

As barbar, as mbret

Veç dritën e diellit…!

…………………………………………………………….

NËPËR VRRAGË MËRGIMI

Këtë cikël ia dedikoj, babit tim në mërgim, kurbet.

NË GJURMË BRENGASH

Rrugëve të botës, babai bredhë

Së bashku me lotin e mallëngjimin

Përditë, rëndueshëm hapat i hedhë

Përmallshëm përqafon kujtimin

Udhëve të mërgimit, shpirti i tretet

Në portën e huaj, kur troket

Shikimi i lodhur, prapa i mbetet

Atje ku gjenë prehjen e vetë

Unë rri dhe pres një buzëqeshje

Që mallin të ma shuaj nganjëherë

E shpresën e jetës e kam

për veshje

Përkëdheljen e babit ta shijoj çdoherë

Ëndrrat përnatë më falin përqafim

Dashurinë e zemrës që unë adhuroj

Ngrohtësinë ledhatuese nga babi im

Me ndjenjat e mia, pa ndalë e kërkoj

Rrugëve të botës, brenga i lë gjurmë

Prush i digjet shpirti për një copë atdhe

Mendja vullkan i përhumbet në zhurmë

Që dallgët e dhimbjes, përpijnë gur e dhè…!

KOHA ECËN

Dhe koha jonë, ecën rrotës së vjetër

Nuk ndryshon gjë nga ajo e shkuara

Ndjej dhimbje e mall, sikur vitin tjetër

Nuk gjejnë qetësi, emocionet e trazuara

Në thellësitë e shpirtit

Kurbeti më është ngulitur

E lënë vrragë të thella në brendësinë time

Dhe rrezja e diellit më duket e kopsitur

Dritë e ngrohtësi dhuron veç me thërrime

Vitet shtegtojnë në orbitat e tyre

Unë i numëroj zbrastësitë

që më ngelin

Më bëhet se jemi porsi copëza pasqyre

Që dritën e jetës, në pjesëza e mbledhin

Në gjueti sakrificash, radhiten vitet

Në togje ëndërrimesh, jetën kalojmë

Rri zgjuar, përpëlitem e nuk më pritet

Çdo ditë me babin, bashkë ta gëzojmë…!

PËRSHËNDETJE NGA LARG

Të përshëndes, o babi, nga larg

Nuk e harroj dot atë përqafim

Se shijen e tij, e jetësoj në varg

Si mjaltë dashurie e si frymëzim

Në krah të shqiponjës ikë

përjetimi

Dhe flatëron në qiell me krah bilbili

Çdo çast të kujtoj e me zë përmallimi

Shpirtin ma mbushë aromë trëndafili

Për ty, babi im, mëngjeset i bekoj

Diellin që lind, që bashkë na rrezon

Herë përmes lotësh fytyrën ta shikoj

Kur t’i shoh tiparet e flasim në telefon

Virtyti yt është det i paanë

I freskon shpirtat tanë

si puhizë

Duam gjithnjë të të

kemi pranë

Imazhin tënd e duam pa kornizë

Një përshëndetje që më

del si krua

Si ujë kristal që natyrën freskon

Në këto vargje që unë shumë i dua

Kam zemrën time që ty të admiron…!

PORTRETI IM

Nëse më pyesni për portretin tim

Ua them unë; Ai është babai im

Me sytë e lodhur nga mërgimi

Që vonë e zë gjumi e herët zgjimi

Me mëngjeset që i lindin vonshëm

Cicërimat e zogjëve e zgjojnë lodhshëm

Që hidhërueshëm në vesh, i lançohen

Me shikimet që përmallshëm mërgohen

Me hallet që kokën ia çajnë

Me shqetësimet tona që s’prajnë

Me frymëmarrjen plot dënesë

Malli i përhershëm i bëhet rëndesë

Me këngën e bilbilave në pranverë

Që e thërrasin idhët përherë

Me lutjen e gjyshes që nga larg i vije

Me dashurinë e nënës që e përcjell si hije

Me boshllëqet e mungesën e tij

Që e përbij, e dot s’e kapërdij

Me lotin që në varg shpërthen i valë

Me djersët e ballit që i rrjedhin palë-palë

Me kurrizin mbi guzhinë

kurrusur

Me bukën që shijon me helm mbushur

Me duart që nga fëlteret i mpihen

Me këmbët që fare nuk i ndihen

Po, po dhe po, me lotin që e shpërthej në varg

Për babin, nga sytë e mi derdh gjak…!

A KENI DËGJUAR

Malli im ka reshur hapësirave të largësisë

Sytë më janë shterrur, e qull bërë nga bora

Stuhia i ka mbërthyer rrugëve të vetmisë

Frymë e brymë tjerr era, fije siç tjerr dora

Lloqkovitur pritja, në asfalte të melankolisë

Herë harkuar mendjes, herë brenda ndjenjës

Universit të shqetësuar, vërtiten retë e qetësisë

Elipsën mjegullnajë, kurbeti i shigjeton zemrës

Si është e mundur, përse kështu vallë

Përse rri në moçale, përse lumenjtë e endin

Rrjedhës së ngadalshme, e sjellin vërdallë

Liqenet e lajnë, e në shpirt i gjejnë vendin

Mallin e pashuar as detet nuk e zhysin

As zjarr i vullkanit, asgjë nuk e tretë

As edhe oqeanet nuk arrijnë ta mbysin

Si e ka tharë dielli, si kore ka mbetë

Shkuarjet edhe ardhjet dhe udhëtimet e tij

Moti i ftohtë i dimrit, i ka ngrirë

Vërdallisjet e mia, të mbushura me lagështi

Në motin e ngrohtë ngurtësuar, e jo shkrirë

Se malli jetën time, shtypur e ka në pole

Ç’është kjo gjendje, që shpirtin metamorfon

E fluskat e trishtimit, në shpirt janë bërë pore

Blozhdat, që kanë marrë dhenë, i grumbullon

Dhe copë-copë të gjitha i ka mbledhur

Se kështu e ka ky malli i shtresuar

Është malli im, si ndryshku i hedhur

Se unë jam hekuri, a keni dëgjuar?

VETËM ME POEZI MPOSHT MALLIN

Ka dymijë e njëqind e nëntëdhjetë net

Vetmia më godet sikur çekiçi, në portë

Aty ku qëndroj deri vonë, pse s’e di as vet

Mendimet, gjumin e kanë hedhur në shportë

Në shportën e harrimit, a të humbjes së tërësishme

Pentagramit, shënoj notat e gëlltitjes së mungesës

E urrej atë qetësi nate që vret me heshtje të neveritshme

Molisur fytyra, ngarend t’i shpalos mundësitë e kthesës

E në kthesat labirinthe, vështirë të gjendet dalja

Lëmsh, peri i meditimit, mbështjellur në nyje

Vesvesesh drobitur shpirti e bërë hala-hala

Dhe i lodhur e shkërmoqur, kërkon ndërhyrje

Tani, dymijë e njëqind e nëntëdhjetë net

Sa vargun të larë me vaj, ia kam thurur

Mall, mungesë e lot, i kam tërë këto vjet

Unë, motra e vëllaçko, me të jemi të mburrur

Hapat e mi fluturojnë dymijë net e ca çerek

Krrokamat e qyqes më krrokasin në vesh

Se për asnjë çast nuk harroi t’më tërheq

Rreth e qark meje, ndjenjat t’m’i bëjë përshesh

Edhe dymijëshin e dymijë netëve në e paça fat të mjerë

Do e pres e fortë edhe si këto net të akullta të dimrit

Me shallin e ngrohtë do mbështillem, që babi ma ka blerë

Do pres në rrugica vendlindjesh, sofrën t’i shtroj qetësimin

Ndodh më në fund qetësimi, kur kujtoj babain shëndosh

Edhe nënën e vyer, me duart që i pikojnë, për ne, veç ar

Motra e vëllaçko që më hidhen në përqafim e s’më lënë bosh

Gurrat që dashuri përçojnë në zemër, me dlirësi për t’m’i larë

Po ç’është diçka që më qetëson së tepërmit, kur del prej vetit

Është vetëm ajo që s’e shoh, e ndjej, vjen dhe frymëzim mbjell

Është poezia që më ngritë në largësi, për tek froni i mbretit

Dhe muza e saj, tek zbretë qiejve, babain pranë meje ma sjell

Në vargjet e poezisë e shoh, me të qëndroj dhe e përqafoj

E puth në faqe e në ball, ia lag edhe thinjat nëpër flokë

Dërrmimin ia largoj nga mundim i gjatë, kur e shtrëngoj

Gëzimin a pikëllimin që

më kaplojnë, nuk i ndaloj dot

Poezia do m’i falë vajtimet e mallkimet që bëj për dheun e huaj

Poezia më kupton, se dy dashuritë m’i ka ngjizur në një

Më shoqëron çdo hap, kur ngazëllehem e kur vuaj

E di, se për mua, babain e letërsinë, horizonti s’i zë

Sa ta kam poezinë, mallin e nostalgjinë, do i t’holloj

Me babin, subjekti i frymëzimit dhe kala e edukatës

Në rrënjët e mia, me peshën e dashurisë, do pres, duroj e jetoj

Me virtytet e tij dhe shikimin e drejtë, si tehu i shpatës…!

SHIU NUK E LANË MALLIN TIM

Afër vazos së vrazhdë, tek qoshja e tavolinës

Dorën bëj bërryl, e gishtat i vendos mbi faqe

Një zhurmë, çuditshëm çukitë nga pas komodinës

Hedh frymëzimin e hidhur, e ndjesitë bëhen harqe

Me qëndrimin në profil, shikimet jasht pikasin

Zgjas kokën e vështroj, shiun që ka filluar të bie

E të reshurat, si me gjyma, sa shumë që zgjasin

Kohë e vranët, shpirtin në melankoli ma shpie

Përbrenda gufojnë drithërima, në xham kërcasin pika

Qindra gërsheta zymtësie, me shiun nga qielli zbresin

Meditimet, asfalte i shtrojnë veseve, mërzitshëm si riga

Gërrhasin si mugëtira e gulçimat në mua mbesin

E përgjumur jam, se nuk bëj një sy gjumë të plotë

Se shkëndija dashurie të mesnatës, më vënë në lojë

Zjarrminë le ta shuan, një gotë çaji i ftohtë

Jo të reshurat, që bien e ndjenjat i bëjnë plojë

O malli im, që në qerpik më je mbjellur

Përmallshëm reflekton në horizontin tim

Po vazhdove kështu, ke për t’më dehur

Në tonelata mallëngjimesh, të mban syri im

Gjithçka çfarë shoh e ndjej, e kam për mall

Dashurinë për babain, largësinë që na ndanë

I kam bërë folenë qysh moti në qepallë

Mallit tim të zhuritur, që shiu nuk ma lanë!…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT