Lastarë shiu aviten xhamave të dritares,
Me frymën time përplasen në ftohtësi,
Një ëndërr bredh nëpër kthinat e mendjes,
Ku me ty, plot pasion bëj dashuri.
Zëri yt, epsh e ndjenjë mpleksur në damarë,
Energji që derdhet butësisht këtë mëngjes,
Teksa shiu në dritare, zvarritet në lastarë,
Në shpirtin tim përplasen mërzi dhe shpresë…
…………………………………………………………….
–MË LOTON ÇDO QELIZË-
…Netëve te gjata, në mes të gjumit,
Tek humbja rrugën nëpër ëndrra,
Emrin tënd shqiptoja përmes zgjimit,
Dhe me frymën tënde sërish flija…
Sot më loton çdo qelizë për ty, e dashur,
Dhe turp e droje nuk kam që ta pranoj,
Se po vuan pa fund, shpirti i përmallur,
Se zemra ime e vrarë, afër të kërkoi…
Përtej endjeve, një ditë do tretesh e vetmuar,
Ah, do e kuptosh atëherë,
Shpirtin që çmendurisht të deshi…
…………………………………………………………
-NJË COPËZ SHPIRTI-
Merrma një copëz shpirti, e shpjere larg,
Mbaje në gji, aty ku tani mbaj emrin tënd,
Mbaje të gjallë, kur unë më të mos jem,
Në sy, me lotë e me vështrime jepi jetë.
E di, do të dhembë pa fund ikja ime,
Më shumë se çdo plagë dhe çdo dhimbje,
E di, pa zërin tim do mbetesh jetime,
Do qash kur të flesh, do trembesh në zgjime.
E do kujtohesh, atëherë sa shumë të desha,
E do kujtohesh, çfarë do të thotë premtim,
Një ditë kur zemra ta provojë si të ther dhimbja,
Të marrësh forcë nga ajo copëz e shpirtit tim.
……………………………………………………
–EJA, PËRTEJ PRITJEVE-
Eja,
Pa ty nuk kam gjumë,
Heshtja dialogon me zërin tënd,
Nëpër labirintet e mendjes,
Ndërsa ti kotesh si një kotele,
Përkëdhelesh me ojnat e një fëmije,
Në shtratin tim të zemrës.
Eja,
Largësia është vetëm imagjinatë,
Ndërsa imagjinata si trembet largësisë.
Eja,
Pritja ulet këmbëkryq
Në mendimet e mia,
Dhe kapërcen kufijtë e kontinenteve.
Nata ime zgjohet në ditën tënde,
Ndërsa dita jote mbyllet në natën time,
Përzjehen ëndrrat në eterin e shpresës
Dhe ndjenjat lëvrijnë në damarë,
Kërkojnë të bëhen një, mes gjysmëpjesësh.
Eja,
Endja ime mbaron tek buzët e tua,
Eja,
Nëse vdes,
Le të tretem në vështrimin tënd,
Aty ku unë të dua,
Përtej të gjitha pritjeve…
Eja pra, vdis dhe jeto me mua…
–