Thursday, February 6, 2025

Dashuria

Koha është të duhemi.
Të kesh besim në mua kur të them: trime,
të kem besim në ty kur më thua: trim.
Për kokën time kryeneçe shumë kurthe ngrite.
Babai yt e fisi shumë pushkë zbrazi,
një mijë e një të zeza kurdise të ma nxije pritën
e nën një kulm banonim.
Me ditë më peshove nga frëngjia,
në hijen e kullës lexoja Shekspirin me vite.
U fishkëlleja deleve buzë Drinit, telartë Sharrit.
Ma ruajti syrin dashuria ime,
komitët na bezdisin vrastarë.
Dorën ma zgjat: Uji i Madh gërryen Bregun.
I huaj nuk jam, as vij nga Tokë e Vdekshme.
Në fund të livadhit të kositur, e sheh,
yni është kali i bardhë.
Shikomë në sy, lëri sharjet, fjalët, gjaqet,
do e sjell lulen nga palcë e gurit,
në kullë llambën do e ndez,
do e hedh farën në tokën e shpërpushur.
Kur të deshta, çoje dashuri pas shtatë katundeve
e të rënat të forta i kishe,
kur më deshte, bëja dashuri me një grua të marrë
e mëhalla jetonte nga shpifjet.
Na iku jeta trime e nuk menduam pakëz edhe për vete.
Koha është të duhemi.

Poezi nga Ali Podrimja

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT