Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, ka zhvilluar një bisedë telefonike me senatorët amerikanë, nga të cilët ka kërkuar ndihmë ushtarake dhe u ka bërë thirrje për të ndaluar zonën e fluturimit mbi Ukrainë për avionët rusë, transmeton Gazeta Metro.
Zelensky raportohet se ka bërë një ‘lutje të dëshpëruar’ për Europën Lindore për t’i ofruar Ukrainës avionë gjatë një telefonate me senatorët amerikanë. Ai mësohet gjithashtu se ka bërë thirrje për një zonë ndalim fluturimi mbi Ukrainë, ndalim të naftës ruse dhe pezullimin e Visa dhe Mastercard në Rusi.
Reuters raporton se Chuck Schumer, udhëheqësi i shumicës në Senat, tha pas thirrjes të shtunën: “Këta avionë janë shumë të nevojshëm. Dhe unë do të bëj gjithçka që mundem për të ndihmuar administratën për të lehtësuar transferimin e tyre.”
Ndalimi i zonës së fluturimit mbi Ukrainë ishte temë diskutimi brenda NATO’s, mirëpo kjo mundësi u refuzua nga anëtarët e saj për shkak se një gjë e tillë mund të shihej nga Rusia si akt lufte.