Wednesday, February 5, 2025
BallinaVitrina e libritCikël poetik me poetin Dan Ibrahimi

Cikël poetik me poetin Dan Ibrahimi

e luajtën horën

deri në muzg e më vonë

rojat dhe turma

pinë verë me shtamba

pështynë…

ai në kryq

teksa hante mëkatet e tyre

shmonte:

oh Juda…

klithma e tij shpoi qiellin

horizontet, kohën

po thonë

e pamë në kryq sërish

ofshau

oh Juda…

e pështynë

ndërsa verë pinin

edhe rojat

edhe turma

e luajtën horën

tërmet

siç thonë seizmologët

do të ketë

nyjeve shqiptare

të tokës

siç thonë politikologët

edhe nyjeve të shtetit

madje siç thonë sociologet

do të ketë dridhje sociopatike

nyjeve të shoqërisë

të gjitha parashikimet

pikën kryq e tërthor

sa ajri, uji dhe gjaku

janë kontaminuar

me mbidozë si rrëmeti

që grryen e lyen

pasqyrën e thyer të ambientit

në pritje të ankthshme

stivojmë mungesë

dridhjesh, shkundjesh, rëniesh, ngritjesh

dhe pyesim

kur do të ketë

tërmet

ajo është ORA

yll nga trëndafili

flutur krahëmollësh

simfoni perëndish

si një puhi vere

loçkë…!

ajo është ORA

ylberinë ngjyrash

pikturë e gravuar

si një copëz hëne

tatuazh në sy

floçkë…!

ajo është ORA

me flokët kometë

sy amazone

si një zanë epike

si stuhi diellore

furi…!

Artikulli paraprak
Artikulli i ardhshëm
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT