DITËT QË S’ JETOJMË BASHKË
Miqve u shkruaj në mesnatë…
Në këtë orë jam me engjëjt.
Muaj të tërë harrimi i fshiva
S’dua t’ia shtoj mundimet vetes.
Në botë kanë vrarë dashurinë
Me thikën e ndryshkur të injorancës.
Ndërsa veprat që doja idealisht
I kam mbyllur me çelës.
Mallkuar errësira e kësaj nate
Që ndan në copa zemrën time!
A mund të jem sa duhet i nevojshëm
Për njerëzit dhe ç’ka mbetet nga ditët?
Udhëtoj me patat e heshtura të vjeshtës
Që ngjajnë me heronj të rrjepur…
Përkëdhel qenin që më vjen pas
Kamarieri im i vetëm.
Restauroj muret e portretet,
Të vetmet viktima të miat.
Miqtë e mi në rafte kujtese kane mbetur
Si libra që mbajnë erë vjetërsie.
Mallkuar vetmia e kësaj nate!
Në heshtje u vë emra kukullave…
Kam bërë mik dhe hundë Pinokun
Në pyll shëtita me shtatë xhuxhët.
Me palaçot mbretërorë u deha
Dhe gjer vonë me ta kam kënduar…
Mallkuar ti, moj natë e pashpirt
Ti vetmi, qofsh përherë e mallkuar!
POETI
Unë erdha mbi kalin qiellor
Kolomb i pafat
Visesh të pagjetur..
Mërgimtar i shpresave
Truallit të zemrës.
Erdha duke shkelur mbi ujëra
Me tërë botën ndër duar…
Tua fal të tjerëve.
Erdha ti falem atdheut…
I perulur të jem mes njerëzve
Me mallin e poetit në zemër.
Askush s’ më ndal dot mua
As zemëratat e detit
As kurthet brenda mendjes!
SIKUR TË MOS ISHIN KURRË
Pas pak ristoranti mbyllet
Në portën e tij kanë mbetur
Gjurmë të gjalla, të dalldisura
Shumë takime me jetën…
Unë, brenda qartësisë sime
Kuptoj, do jetë një lot, një peng
Do jetë një dhimbje…e shuar
Në çdo gjurmë që prek…
Do jetë një gjurmë e paharruar
Që s’ do kurrësesi, të heshtë,
Ndoshta, ndonjë puthje e premtuar
Apo një gjest i thjeshtë.
Do ketë ndonje gotë të thyer
Nga ndonjë maraz pa shkak.
Një gjurmë që i thotë tjetrës;
” Rri me mua dhe pak”…
Do ketë një valle të heshtur
Gjurmësh që rendin ndër natë
Sa mall kam për jetën
Sa pak çdo gjë zgjat…
Festa mbaroi dhe mbeti
Zemra e natës…vetëm
Që do ti fshijë të gjithë
Me fshesën e heshtjes!…