EDHE THITË NUK BAJNË MA SHUM DAM!
Njeri e kish pas arën afër malit. Natën, thitë e egër i bënin dëm. Një ditë vëllai i madh i tha të voglit, me shku në arë e me e ruajt natën kallamboqin prej thive. Shkoj vllau, e ndezi zjarrin e piqte shtalba e i hante. Kishte qenë i hesë dhe kishte ngrënë shumë shtalba, saqë ishte bërë një grumbull boça. Kur shkojë vllau i madh, e kur i pa boçat, u çudit se si ka mundë me i hëngër tanë ata shtalba. Të nesërmen në mbrëmje, vëllai i vogël i tha t’madhit:- Po shkojë në arë me e ruajt kallamoqin prej thive:- Jo, mos shko, se edhe thitë me hi, nuk mundën me ba dam sa kishe ba ti, i tha vëllai i madh.
PUNA JONË, SI PUNA E DHENVE
Duke biseduar në një odë për traditat e popujve të Ballkanit, dikur ia nisin të flasin edhe për shqiptarët. Dikush i lavdëronte e dikush i përqeshte. Kur e mori fjalën njëri, veç të tjerash, u tha:- Na shqiptarët jemi si dhentë.- E pse si dhentë?! – pyeti tjetri!- Dhentë, – vazhdoi ai, – kur dikush i trazon prej së jashtmi, tubohen e bashkohen, sa nuk ka kush që i ndanë. Mirëpo, me ba me i trazue prej mbrenda, ato bahen pikë e pesë, e nuk ka kush që i ban bashkë, me i shti në torishtë, – u tha ai.
T’MITË NUK MARRIN VESH KURRË
Kishte shkuar njëri mysafir, për herë të parë, te miku. Duke bërë muhabet, bie llafi i djemve. E pyet i zoti i shtëpisë mikun: – Qysh i ki djemtë, a ki muhabet me ta a jo?- Mirë janë djemtë, po muhabet s’kam çka baj me ta, se nuk po bahen t’meçëm hiç, – i thotë ai.- Ku e ke marrë vesh që s’janë t’meçëm?, – e pyet i zoti i shtëpisë.- Po, nuk po i marrin vesh punët pa u ba.- E, more mik, ti i paske djemtë birinxhi, po çka me ba unë, qi t’mitë nuk i marrin vesh punët edhe masi t’bahen, – i thotë i zoti i shtëpisë.
THEJA KAMËN
Njeni e kishte thye kamën. Shkonin shoqëria e miqësia për ta vizituar. Si zakonisht e pytshin, si ndodhi qe e theve kamën?Ai, kur fillonte me tregu, e zgjate shumë bisedën, kështu që bënte gjysmë ore deri sa mbërrinte te vendi ku e kishte thye kamën.Një ditë, vëllai që i bënte hyzmet, kur i pa se po vinin do miq, i tha:- Bac, pash Zotin, the kamën ma shpejt se na plase.(Kur dikush e zgjatë bisedën shumë, i thuhët -“theja kamën”
HAJ MEDET, KUSH QENKA NË PUSHTET!
Abit Dedia nga Mitrovica kishte pas punu në Kombinatin “Trepça”. Si punëtor i mirë, ishte zgjedhur në organet udhëheqëse të Kombinatit. Mbasi del në pension, ia marrin djalin, Hetemin, në punë, e mbas një kohe e zgjedhin udhëheqës të Këshillit të punëtorëve. Në atë kohë Kajtaz Rzhana zgjidhet deputet.Abitit i dukej se në Kombinat nuk po shkonin punët mirë, se nuk ia mbushnin syrin as Kajtazi, as djali i vet. Një ditë, tu bisedu me shokë, Abiti u thotë:Haj medet, kush asht sot në pushtetKajtaz Rzhana deputetHetem Dedia n’Radniçki savet (në Këshill të punëtorëve)He kuku për Shalën çka e gjet.
MBASI NUK PO I NJOH UNË, DUHET ME KANË T’MIRË,
Isuf Zuka nga Pozhorani, një kohë të gjatë kishte qenë komandant policie në Viti. Një ditë, njëri, duke biseduar me Isufin, i tha:- Po ma lypë filani çikën, po mbasi nuk po i njoh, nuk po di çka të baj, thashë t’ves ty, ndoshta i njeh ti çfarë njerëz janë?- Nuk i njoh as unë, po mbasi nuk po i njoh unë, jepja çikën, se duhet me qenë njerëz të mirë, – i thotë Isufi.
Lexues të nderuar të Ciceronit të gjithë ju qe i doni anektodat e keni mundësinë që të porositni online
POROSIT ONLINE Librat ANEKDOTA SHQIPTARE Për porosi na shkruani ne MSN ose na kontaktoni në tel.049161494.Çmimi për një libër 6 Euro, ndërsa për kompletin (6 libra) 36 Euro. (botimi i ri, formati ma i madh).Posta për Kosovë 2 Euro, për Shqipëri e Maqedoni 5 Euro.