Enigmë
Unë pres, ti s’pret…
une djersij, ti në det…
unë pa gjumë, ti gërhet…
Unë vrapoj, ti shëtit…
une gatuaj, ti gëlltit…
Unë punoj, ti vegjeton…
unë ndërtoj, ti shkatërron…
unë luftoj, ti sundon…
Unë flas, ti bërtet…
unë me shkollë, ti analfabet…
unë skllav, ti mbret…
E pambaruar…
Shpesh në dritare shoh sytë e fqinjës,
të thellë, si dy oaze lotësh,
nga pritja e gjatë, aq shumë të trishtë,
si sytë tragjikë të Penelopës!
Diçka përbrenda më sëmbon,
një ndjenjë që s’di ç’emër t’i jap,
kjo shpresëvenitur çfarë kërkon,
me këtë vështrim të tretur larg?
Ndoshta pret një Odise,
që të rikthehet në Itakë,
ta marrë e larg të mërgojnë,
të ikin nga kjo botë e mbrapshtë!
Të jesh grua,
je zgjedhur për të ndërtuar tempuj e shembur perandori,
për të marrë dhembjen nën brinjë,
e për të dhënë dashuri…
Të jesh grua,
do të thotë të endesh pëmes netëve të bardha,
me shkëlqimin vezullues të yjeve në duar…
të duash edhe ata që s’të duan,
të bekosh edhe ata që të mallkuan!
Grua
me sytë diell e buzët hënë,
në oazet e tua buron shenjtëria,
nektar pikon prej trupit tënd,
zili ta ka dhe Perëndia!
Perëndim hëne
Lëndina u spërkat nga mijëra yje,
kur hëna u rrokullis pas malit,
kjo fëshfërimë e ngrohtë gjethesh,
si fjalë dashurie,
që vajza i tha djalit!
Në gjumë të thellë pellgjet e kristalta,
një pishëz qëndis qiellin me gjilpëra,
siç qëndis vajza në copëzat e mëndafshta,
shpirtin e saj përkundur nëpër ëndrra…
Pas perdesh hesht një përvëlimë,
një zjarr që dot s’e ndalim,
u tret sa s’plasi një premtim,
që vajza i dha djalit!
Por djali humbi nëpër terr,
dhe nata ish pa hënë,
në shpirt një peng ende i ther,
që vret si gur i rëndë!
Dhe ç’bëri vajza, thoni ju,
kur zemra më s’i mbajti…
Më merr, i tha liqenit blu,
të gjej djalin ku vajti!