Friday, April 26, 2024
BallinaUncategorizedE diela poetike me poeten Arjola Zadrima

E diela poetike me poeten Arjola Zadrima

Prej heshtjes vijmë

drejt dashunisë

shkojmë.

Buzëqeshun,

trup me trup

puthje heshtun.

Prej dashunisë vijmë

të gjallë

të mekun e zemër dehun.

Ka një tingull të butë

heshtja jote

burrë!

Asht dashni kur mezi pret

një shkak sa me të përshndetë,

asht dashni kur të pyt si je,

si po e kalon ditën,

çka të shqetëson.

A ke hanger sot?

Asht dashni kur të shndrisin sytë

kur nuk të rreh zemra për një të dytë.

Asht dashni kur në vend të fjalëve të përqafon,

kur në vënd të syve flet zemra.

Asht dashni kur të puth papritë,

kur të tërheq drejt një rruge

pa e ditë si do jetë fundi

e ti veç mundesh me e ndjekë.

Asht dashni kur e don lirinë tande

buzën në gaz,

aromën e çarçafëve natën,

krejt erën e trupit

përkuljen e qafës.

Asht dashni kur e mendon

Pyet ku do të jetë,

me kë rri,

a po i shkon mendja tek ti,

e ti grindesh me vedi

se e kupton që të ka marrë

malli.

Përpos këtyne që kam thanë,

të tjerat janë veç fjalë…

Hesht,

mbylli sytë.

Ndigjo veç zhurmat e sendeve,

një derë që përplaset,

një cicërimë zogu,

një muzikë e hershme.

Hyr në vetëdijen tande,

ndjej si koha shkon

dielli perëndon mbas Taraboshit,

Buna rrjedh e bajuklat notojnë

kundër rrymës.

Çliro frymën,

qetësohu, mendo.

Dy sy reflektojnë qënien tande të lumtun,

ti që je porti ku kam ankorue shpirtin

hapi krahët , më përqafo.

Tash zgjohu, puliti sytë

lene zemrën më rrahë,

jeto.

Jam mesue

Jam mësue me të rrejtë

nga pak,

TY që më mendon prej larg,

e kaq afër ndjehesh.

Të tham , s’due me të bezdisë

ndërsa në krye një lamsh i madh

m’asht mbledhë

natë mbas nate.

Jam mundue sedrën me ta ledhë,

gjumin me ta prue në qetësi Kshnellash,

kaq shejtë je në mue.

Në fakt me të bezdisë nuk due

veç me të kujtue se asht kaq e vetmueme

një natë që zgjatë

pa ty, pa mue.

Asht kaq i parehatshëm ky jastëk

ku më peshon mendimi,

ky shpirti ku më pushon ftyra jote

e amël,

zemra jote e bardhë,

zani yt melodioz,

koha që zgjat,

e zgjatë,

e zgjatë

sa një andërr ku jena bashkë.

E bashkë flemë

e bashkë zgjohena

bashkë puthitim gishtat

pllambët,

zemrat , tuj e lanë

çdo zhgjandërr, jashtë,

krejt jashtë nesh.

Jam mësue me të rrejtë

nga pak,

tuj të rrëfy se rrjedh kjo koha

që ty prej meje të vjedh

çdo çast.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT